Katër rajonet ukrainase të pushtuara nga Rusia, të cilat mbajtën referendume të konsideruara ndërkombëtarisht si mashtrim, do të aneksohen nga Moska të premten, njoftoi sot Kremlini.
“Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi sot se presidenti rus, Vladimir Putin do të nënshkruajë dokumentet e aneksimit në një ceremoni të premten”, sipas mediave ruse, raporton ATSh.
Autoritetet pushtuese ruse në rajonet e Luhanskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit mbajtën referendume javën e kaluar, për çka Perëndimi kritikoi Rusinë për mbajtjen por edhe për manipulimin e rezultatit.
Rajonet në lindje dhe jug të Ukrainës janë marrë nën kontroll menjëherë pas fillimit të pushtimit nga forcat ruse në shkurt.
Ukraina dhe fuqitë perëndimore janë zotuar të mos i njohin kurrë rajonet që aneksohen si pjesë e Rusisë.