Rusia ka rritur sigurinë në urën e vetme që e lidh me Gadishullin ukrainas të Krimesë, pas shpërthimit të fuqishëm të 8 tetorit në të. Për pasojë janë shkatërruar disa segmente të urës. Rusia e ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që të mbikëqyrë urën lidhëse. Sipas hetuesve rusë, tre persona kanë vdekur si pasojë e shpërthimit. Zyrtarët kanë thënë se kanë nisur menjëherë punimet për të rregulluar segmentet e dëmtuara rrugore.

E konsideruar nga mediat ruse si “ndërtimi i shekullit”, ura është konsideruar kyçe për bartjen e pajisjeve ushtarake, municionit dhe ushtrisë, në jug të Ukrainës, prej shpërthimit të luftës në këtë shtet, në fund të muajit shkurt.

Mirëpo në pamjet satelitore të së dielës është parë tym dhe zjarr në zonat e shkatërruara të urës, e cila është hapur me shumë entuziazëm katër vjet pasi Moska ka aneksuar Krimenë.

Meqë luan rol strategjik në luftë, autoritetet ukrainase kanë thënë se ura përbën shënjestër legjitime për ta, dhe janë zotuar se do ta rikthejnë kontrollin e Krimesë.

Zyrtarët ukrainas kanë dhënë sinjale se kanë miratuar shpërthimin, mirëpo nuk e kanë konfirmuar se forcat e tyre kanë qenë mbrapa sulmit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur incidentin në adresimin e tij të shtunën vonë, duke thënë se “e sotmja nuk ka qenë ditë e keqe, por ditë kryesisht me diell në territorin e shtetit tonë”.

“Fatkeqësisht ka qenë me re në Krime. Mirëpo ka qenë nxehtë edhe atje”, ka shtuar ai.

Guvernatori i emëruar nga Moska në Krime, Sergei Aksyonov, ka thënë se ekziston dëshira për hakmarrje, mirëpo ka dhënë garanci se Gadishulli ka rezerva të naftës dhe ushqimeve për më shumë se një muaj.

“Situata është e menaxhueshme – nuk është e pëlqyeshme, por jo fatale”, ka thënë ai./REL/

Share.