Votimet në zgjedhjet presidenciale të Rusisë – proces në të cilin pritet të fitojë presidenti aktual Vladimir Putin – do të mbahen në katër rajone ukrainase që Kremlini pretendon se i ka aneksuar vitin e kaluar, ka thënë Moska.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se procesi i votimit në mars, do të zhvillohet edhe në Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – rajone ukrainase, në të cilat Rusia nuk ka kontroll të plotë ushtarak.
“Vendimi është miratuar në mënyrë unanime”, ka thënë zëvendëspresidenti i komisionit Nikolay Bulayev, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.
Zgjedhjet do të mbahen tri ditë, prej 15 deri më 17 mars, vendim që sipas kritikëve të Kremlinit, e bën më të vështirë garantimin e transparencës.
Putin nuk pritet të përballet me kundërkandidat të fortë në synimet e tij për të fituar një mandat të pestë, pasi shumica e pjesëtarëve të opozitës janë të burgosur ose në ekzil.
Pesë parti janë lejuar që t’i çojnë përpara kandidatët e tyre për zgjedhjet e vitit 2024.
Të gjitha e mbështesin Kremlinin, dhe luftën e Moskës në Ukrainë.
Ukraina i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që t’i dënojë me rezolutë qëllimet e Rusisë për t’i mbajtur zgjedhjet në territoret e pushtuara ukrainase”.
Kievi, po ashtu, i ka bërë thirrej Perëndimit, që t’i sanksionojë individët që janë përgjegjës.
Në të kaluarën, Rusia ka mbajtur zgjedhjet në rajonet e pushtuara në Ukrainë, proces që nuk është njohur nga Kievi dhe Perëndimi.
Moska ka mbajtur proces votimi për zyrtarët lokalë në katër rajonet ukrainase, në shtator të këtij viti.
Një vit më herët, Moska ka mbajtur “referendum” për t’i aneksuar territoret në fjalë.
Të dyja proceset e votimit janë dënuar prej Kievit dhe Perëndimit.
Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë, më 2014, dhe ka mbajtur zgjedhje atje qysh atëherë.
Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
/TV Malisheva