Udhëtimi me një kafshë prej Kosovës për në një vend tjetër është sfidë në vete. Sigurimi i dokumentacionit të nevojshëm, përfshirë pasaportën e kafshës, certifikatën e shëndetit të vulosur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë janë vetëm disa prej kushteve që duhet plotësuar.

Udhëtimi me kafshë bëhet edhe më i vështirë marrë parasysh faktin se Kosova nuk i ka të rregulluara çështjet e transportit të kafshëve, si dhe në mungesë të akteve nënligjore ku specifikohen kushtet dhe detyrat se si duhet të transportohen kafshët shoqëruese, qeni dhe macja.

Me të gjitha këto është ballafaquar Elza Ramadani në udhëtimin e saj për në Itali, teksa me vete kishte qenin.

Ramadani, e cila është drejtoreshë ekzekutive në Fondacionin për të Drejtat e Kafshëve, ka ndarë me KosovaPress eksperiencën e saj të këtij udhëtimi.

Për të, ky udhëtim përbën përvojë interesante por edhe shumë stresuese njëkohësisht.

“Ka qenë mjaft stresuese eksperienca ime personale që të udhëtoj me një kafshë, me një qenush, jashtë vendit. Por, gjithsesi që i kam qëndruar shumë afër edhe jam munduar ta qetësoj gjatë gjithë kohës edhe me shpërblime… Kam udhëtuar në Itali, pra kam udhëtuar prej Prishtinës në Durrës me autobus ku e kam pasur, se ka qenë qenushja më e vogël, trupvogël dhe e kam pasur afër vetës edhe në autobus, që për çudi autobusët në Kosovë më kanë lejuar ta marrë qenushen brenda. Edhe pse shumë udhëtarë janë irrituar edhe kanë kundërshtuar pak, por prapë se prapë unë kam qenë në fillim ulur dhe qenushja nuk i ka penguar askujt. Pastaj në Durrës është çlodhë qenushja, është relaksuar. Kemi udhëtuar me anije prej Durrësit deri në Bari të Italisë, ku të gjitha dokumentacionet janë kontrolluar para futjes në anije… Ka qenë shumë interesant se pastaj i ka pëlqyer udhëtimi në det sepse kemi dalë shumë herët në mëngjes për ta shijuar mjedisin edhe ajrin e pastër”, thotë Ramadani.

Ajo apelon të gjithë mbajtësit e kfshëve shoqëruese që të kenë parasysh disa gjëra para se të vendosin të udhëtojnë me qen apo mace.

“Kosova ende listohet si vend me tërbim në Bashkimin Evropian, kjo është një problem shumë i madh sepse kafshët para se të futen në Bashkimin Evropian ose në disa vende të tjera duhet t’i bëjnë disa testime për tërbim, që shohin pra shtetet e Bashkimit Evropian që ajo kafshë nuk ka asnjë dyshim mbi sëmundje të ndryshme… Kështu që iu rekomandoj shumë njerëzve të mos udhëtojnë me kafshët e tyre pa i respektuar procedurat sepse rrezikohen që kafshët e tyre në kufi, kur mbërrijnë në Zvicër në këtë rast ose në shtetet e Bashkimit Evropian, që të eutanazohen, të futen në gjumë përjetësisht, të vriten në mënyrë humane dhe mjekësore, pasi që nuk i plotësojnë kriteret të cilat kërkohen prej atyre vendeve”, thotë Ramadani.

E gjatë udhëtimit të përdoret pak ose fare ushqim, sepse sipas tij kafsha ka stres dhe nëse stomaku është i mbushur me ushqim gjatë kësaj periudhe, mund të shkaktojë të vjella.

Veterinari Bujar Zeqiri tha se përveç të lehurave dhe dridhjes, kafshët mund të pësojnë edhe infarkt nga stresi gjatë udhëtimeve të gjata.

“Po çdo udhëtim, mund të themi se është një lloj stresi, që edhe shkakton stres tek kafshët, varësisht prej distancave të udhëtimeve të cilat ndodhin, varësisht prej gjendjes së tyre shëndetësore, edhe varësisht prej asaj se a është udhëtimit i parë për kafshën apo ka kafsha ka udhëtuar edhe më herët… Nuk rekomandohet përdorja e sedativëve, janë barëra qetësuese të ndryshme të cilat më herët janë përdorur, por herëve të fundit po shohim që shumë vende i kanë ndaluar edhe i kanë ndalu edhe kanë pasur efekte anësore të cilat nuk kanë ndikuar mirë në shëndetin e kafshës, sepse kafsha nën ndikim e tyre komunikon me ambientin, dëgjon zëra dëgjon zhurma e të gjitha këto, por nuk është e aftë të lëvizë ose të shprehë qoftë mjaullitjen ose lehjen”, shprehet Zeqiri.

Por si duket nuk janë të shumtë ata që udhëtojnë me kafshë jashtë vendit.

Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka lëshuar rreth 50 certifikata për kafshë shoqëruese.

“Ne deri më tani i kemi rreth 50 certifikata të lëshuara për kafshë shoqëruese, kafshë jokomerciale, që nuk janë për tregti, pra janë kafshë të cilat vijnë, hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet e ndryshme, ose janë të Kosovës të cilat pajisen komplet me dokumentacion të Republikës së Kosovës, ku përfshihet pasaporta, certifikata shëndetësore, dhe të gjitha shërbimet e tjera që kërkohen të vaksinimit, dhe lëvizin në ndonjë shtet tjetër… Ne kryesisht kemi pas kërkesa qoftë me dokumentacion, qoftë më certifikata për qentë, shumë më pak për mace… Pjesa dërrmuese janë për vendet e Bashkimit Evropian dhe modeli i certifikatës është model unik, i njëjtë që përdoret për të gjitha vendet e BE-së, dhe ai model i certifikatës plotësohet nga ana e praktikës veterinare private të licencuar, me të gjitha informatat që kërkohen mbi kafshën”, thotë Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi thotë po ashtu se nga fundi i vitit të kaluar janë duke e zhvilluar projektin për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese në Kosovë, ku sipas tij deri më tani janë regjistruar rreth 10 mijë qenë. Përmes këtij projekti, Thaçi thotë se u mundësohet të gjithë pronarëve të qenve të marrin shërbime pa pagesë për t’i legalizuar kafshët e tyre dhe për të pasur të drejtë lëvizjeje kudo.

/TV Malisheva

Share.