Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha deklaroi sot se ka refuzuar një “ofertë përrallore” nga kompania ruse e gazit “Gazprom” kur ishte kryeministër, duke firmosur marrëveshjen me TAP-in.
“Në marrëdhënien time me Uashingtonin, dy kanë qenë problemet kryesore: NATO dhe TAP-i. Sekretarja Clinton nuk u shpreh haptazi në mbështetje të projekteve, por duke vendosur në dispozicionin tonë stafin e saj më të kualifikuar për energjinë, na dha ndihmë të çmuar për të vijuar betejën tonë në favor të TAP-it. I them mafies së George Sorosit, që më ka shpallur “non grata” për korrupsion, se vetëm për TAP-in, Sali Berishës i janë ofruar shuma përrallore, por qëndrova në mbrojtje të interesave të vendit tim dhe Evropës, pasi isha i bindur se një “darë” gazi rus në vendin tonë ishte lajmi më i keq për Evropën”, deklaroi Berisha për gazetarët në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Ai bëri me dije se sot, “TAP ka dërguar në Itali 10 njësitë e para të gazit”.
“Ky është gazsjellësi i Evropës pa gazin rus, është arritje e madhe për Evropën, arritje në të cilën qeveria që unë kryesova, luajti rol përcaktues, pas Azerbajxhanit. TAP-i mund të ishte funksional vetëm nëse kalonte në territorin tonë, territor në të cilin nuk mund të kalonte gazi rus. Atëherë u bënë përpjekje të mëdha për ta sabotuar, pasi donin që korridorin e jugut ta merrnin rusët”, tha Berisha./A2