Kreu i këshillit të qytetit Kherson thotë se forcat ukrainase kanë çliruar qytetin Kiselevka, i cili ndodhet rreth 15 kilometra në veriperëndim të Khersonit.
“Okupatorët janë në panik dhe popullsia lokale është në gjendje pritjeje”, tha Oleksandr Samoilenko për televizionin ukrainas, sipas CNN.
Ushtria ukrainase nuk i konfirmoi komentet e Samoilenko. Natalia Humeniuk, një zëdhënëse e Komandës së Operacioneve Jugore, u pyet në lidhje me raportet dhe tha vetëm se ishte “me të vërtetë e keqe dhe e rrezikshme për personelin ushtarak kur zyrtarët dhe mediat thonë ndonjë gjë për vendbanimet që komanda nuk ka konfirmuar se janë çliruar”.
Pamjet e fundit satelitore treguan një sërë automjetesh ushtarake ruse ende në Kiselivka, e cila është në rrugën kryesore që lidh Mykolaiv – të mbajtur nga ukrainasit – dhe qytetin e Kherson, i cili është ende i pushtuar.
Instituti për Studimin e Luftës dje tha se imazhet satelitore të pozicioneve të njohura ruse në Kiselivka, treguan se pothuajse të gjitha automjetet ruse kishin lënë pozicionet e tyre të mëparshme përpara.
“Tërheqja e dukshme e trupave ruse nga ky pozicion mund të rrezikojë aftësinë e rusëve për të mbrojtur periferinë veriperëndimore të Khersonit dhe sugjeron që trupat ruse në zonë shohin një kërcënim të menjëhershëm për pozicionet e tyre,” tha ISW.
Kiselevka është rreth 12 kilometra nga aeroporti Kherson, të cilin forcat ruse e përdorën si pikë komandimi dhe bazë.