Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar padi ndaj Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Financave që të zbatoj vendimin e Qeverisë Hoti për ndarjen e shtesave prej 100 eurove, kurse nga Ministria e Arsimit llogaritjen e orëve plotësuese.

“I jemi drejtuar me dy shkresa zyrtare ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe kemi kërkuar takim me të për të diskutuar për çështjet tona dhe ja kemi dërguar edhe vendimin e qeverisë së kaluar ku precizohet se për arsye të rrezikut nga pandemia dhe shtimit të volumit të punës të ketë shtesë në paga. Shtesë që Qeveria e kaluar e realizuar vetëm për një muaj dhe është pritur që të vazhdojë sipas vendimit, nuk ka vazhduar dhe ne po kërkojmë takim me ministrin për ta zgjidhur këtë çështje”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se edhe po të mos ishte ky vendim i qeverisë së kaluar, Qeveria aktuale është dashur ta ketë parasysh sepse njëri nga sektorët më të rrezikuar nga COVID është dëshmuar se është sektori i arsimit.

Ne jemi në pritje që ministri të reflektojë, ta implementoj shtesën në paga në emër të rrezikut nga COVID-19. Dhe nëse deri në fund të majit Ministria e Financave nuk vepron dhe nuk reflekton edhe pagat e majit që të shtoj shtesën, ne pastaj do të konsultohemi me Këshillin Drejtues dhe në bazë të asaj kemi informacione nga tereni SBASHK do të përgatis lëndën përmes juristit tonë dhe ka gjasa të mëdha që atë lëndë do ta dërgojmë në Gjykatë për të kërkuar realizimin e kësaj të drejte përmes gjykatës”, u shpreh Jasharaj për Telegrafin.

Ai theksoi që nëse ndodhë që orët e mësimit plotësues të mos paguhen, do ta dërgojë edhe ministrinë e Arsimit në gjykatë sepse nuk kanë zbatuar kushtet e kontratës dhe atë që ligji e thotë.

“Ne do të insistojmë që të kenë pagesë sepse këtë e thotë edhe kontrata kolektive e nënshkruar në mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, janë 20 orë normë javore dhe ditët e punës janë nga e hëna deri të premten dhe kontrata poashtu neni 11 e saktëson se çdo orë mbi këtë normë duhet të paguhet në vlerën e orës së rregullt dhe pasi jemi në një situatë të rënduar ne nuk do të shkojmë në veprime sindikale që do ta pengonin procesin mësimorë, por do të kërkojmë që të plotësohen këto të drejta dhe në rast se kjo nuk ndodh atëherë edhe këtë çështje do ta dërgojmë në gjykatë”, tha Jasharaj.

Jasharaj ka folur edhe për procesin e vaksinimit të mësimdhënësve ku ka theksuar se në takimet që ka pasur me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia e kanë ngritur këtë çështje, dhe se iu është premtuar se me ardhjen e kontingjentit të ri të vaksinave do ta kenë parasysh këtë kërkesë të tyre./TV Malisheva

Share.