Autorët e vrasjeve të civilëve në qytetin ukrainas Buça ishin fajtorë për krime lufte dhe duhet të mbahen përgjegjës, tha të shtunën kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Kjo është diçka që ne nuk mund ta harrojmë,” tha Scholz, duke iu referuar vdekjeve të civilëve në qytetin në veriperëndim të Kievit.
“Ne nuk mund të anashkalojmë se ky është një krim. Këto janë krime lufte që ne nuk do t’i pranojmë… ata që e bënë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.
Që kur trupat ruse u tërhoqën nga Buça javën e kaluar, zyrtarët ukrainas thonë se qindra civilë janë gjetur të vdekur. Nënkryetari i bashkisë së Buças tha se më shumë se 360 civilë u vranë dhe rreth 260-280 u varrosën në një varr masiv nga banorë të tjerë.
Rusia i ka quajtur pretendimet se forcat ruse ekzekutuan civilë në Buça një “falsifikim monstruoz” që synon denigrimin e ushtrisë ruse.
Duke folur në një tubim përpara zgjedhjeve shtetërore në shtetin verior të Schlesëig-Holstein, Scholz tha se Gjermania do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë mbrojtëse për të dërguar mesazhin se ajo është e përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin e shteteve evropiane.
“Kufijtë evropianë duhet të mbeten të paprekur,” tha ai.
Rusia e quan luftën në Ukrainë një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” fqinjin e saj. Ukraina dhe Perëndimi thonë se pushtimi ishte i paligjshëm dhe i pajustifikuar.
/TV Malisheva