Ka vazhduar seanca gjyqësore në rastin e aferës së dyshuar lidhur me pagesën e 53 milionëve që ndërlidhet me autostradën Prishtinë Hani i Elezit, kundër Pal Lekaj dhe të tjerëve pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka vazhduar me fjalën e saj hyrëse duke i akuzuar të pandehurit, ndërsa mbrojtja ka paraqitur fjalën e saj hyrëse duke elaboruar mbrojtjen, si dhe janë dëgjuar dy dëshmitarë ish-zyrtarë të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës, Avdi Kamerrolli dhe Rame Qupeva, të cilët kanë deklaruar për njohuritë e tyre lidhur me projektin e autostradës.
Avokati i ish ministrit Pal Lekaj, Musa Damati, ka deklaruar se aktakuza nuk e ka zgjidhur misterin e famshëm të 53 milionëve, duke e ngritur çështjen se ku kanë përfunduar ato, dhe se ato nuk kanë përfunduar në llogarinë bankare të klientit të tij.
Po ashtu, avokati i Pal Lekaj, Musa Damati për KP ka deklaruar se autorizimi dhe kalimi i transaksionit prej 53 milionë euro lidhur me autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, nuk është bërë nga klienti i tij ish-ministri por është bërë me autorizimin e Qeverisë së Kosovës në mbledhje të hapur me shumicë votash.
/TV Malisheva