Sekretari për Çështje Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa deklaroi sot se, Prokuroria pranoi se pas kontrollit 5 orësh në PD nuk u gjend asnjë send i kundërligjshëm, as shpërthyes, as helmues.

Në një deklaratë pas seancës së sotme gjyqësore, Sefa u shpreh se, tërheqja e prokurorisë për 11 demokratët brenda selisë u bë sepse nuk asnjë provë kundër tyre.

“Prokuroria u tërhoq nga 6 kërkesat që kishte bërë për masat “Detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore. Pranoi që nuk kishte rrethana, gjatë pohimit gjyqësor dhe pyetjeve që iu bë nga ana jonë”, tha ai.

“Gjatë kontrollit që u krye prej 5 orësh në selinë e PD nga grupi hetimor, prokurori e pranoi vetë se nga kontrolli i kryer nuk u gjend asgjë e kundërligjshme që kishte cilësinë e provës. Dhe ky ishte fakt publik edhe nga ana jonë. Ne ishim aty dhe kemi dhënë mundësitë prokurorisë për të kryer kontrollet e nevojshme. Madje, janë kontrolluar edhe zyrat e deputetëve të PD, megjithëse ka nevojë, kërkohet autorizim nga parlamenti, siç e dini edhe ju”, tha Sefa.

“Patëm gjithë disponibilitetin nga ana jonë dhe i lejuam që të bënin kontroll të zyrave të deputetëve. Prokuroria sot pranoi se nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm dhe aq më pak në selinë e PD. Kanë kontrolluar gjithë selinë dhe nuk u gjend asnjë send, në bazë të veprës penale që kanë ngritur”, u shpreh Sefa./Atsh

/TV Malisheva

Share.