Ministri i Drejtësisë, Selim Selimit edhe një herë i ka ftuar të bashkëngjiten ish-pjesëtarët e grupit punues të shoqërisë civile për procesin e vettingut, duke shtuar se qeveria vendos për planin.

Sipas Selimit ata do të kenë mundësinë të kthehen qysh në mbledhjen e parë, dhe të dorëzojnë raportin në qeveri.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi para gazetarëve tha se sot në qeveri është marrë vendim për themelimin e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Selimi: Pjesë e grupit punës do të jenë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile

“Pjesë e Grupit Punues, i cili është gjithëpërfshirës me qëllim të garantimit të objektivitetit dhe transparencës, do të jenë përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë, gjykatat, prokuroria. Dhe në rolin mbështetës do të jenë përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Italisë, dhe përfaqësues nga Misioni i OSBE-së”, ka thënë Selimi.

Selimi edhe një herë ka ftuar që të bashkëngjiten ekspertët e grupit të kaluar që të marrin pjesë në grupin punues për procesin e vettingut.

Selimi: Unë edhe një herë i ftoj ish pjesëtarët e grupit që të bashkëngjiten në këtë proces

“Për të respektuar parimin e inkluzivitetit dhe punën e deritanishme, ne në këtë vendim kemi lënë të hapur mundësinë që ekspertët e ish-grupit pra sipas vendimit 08/04 të datës 28.02.2020, të jenë pjesë e këtij procesi. Pra unë edhe një herë që ata t’i bashkëngjiten këtij grupi inkluziv dhe këtij grupi gjithëpërfshirës. Puna e grupit punues është e përkufizuar në kohë. Pra ne mendojmë që deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ky grup do ta përgatis raportin përfundimtar mbi skenarët e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, duke i propozuar edhe skenarët për vettingun. Gjithashtu këtu do të reflektohen edhe rekomandimet nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit”, ka shtuar ai.

Raporti i grupit punues do të shfrytëzohet si bazë mbi të cilin qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, në koordinim me akterët tjerë si dhe partnerët strategjikë do të procedojnë tutje me reformën.

Selimi: Ekspertët e grupit të kaluar do të kenë mundësinë që të kthehen qysh në mbledhjen e parë

“Ekspertët e grupit të kaluar do të kenë mundësinë të kthehen qysh në mbledhjen e parë që do të ketë ky grup. Që ne shpresojmë që brenda një jave. Takimi i parë do të jetë në zoom, përmes videokonferencës për shkak të masave të ndërmarra. Unë mendoj që procesi i vettingut, implementimi i të njëjtit do të jetë në momentin kur ata e dorëzojnë raportin me skenarë dhe pastaj në qeveri do të vendoset për njërin nga skenarët që do të ndiqet”, u shpreh ai.

Ditë më parë, shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga Grupi Punues për procesin e vettingut.

Sipas tyre, koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë./Tv Malisheva

Share.