Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka hapur edicionin e 41-të të tij. Në ceremoninë ku morën pjesë zyrtarë shtetërorë, ambasadorë, akademikë e studiues, u vlerësua roli i rëndësishëm i këtij seminari. Mbi 100 mysafirë nga e gjithë bota kanë ardhur për të mësuar shqipen në tri nivele. Janë planifikuar aktivitete të ndryshme kulturore përgjatë dy javëve të ardhshme sado të jetë i hapur ky seminar. Temat bosht të këtij viti janë “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

Drejtori i seminarit, profesori Bardh Rugova, pati kritika për autoritetet të cilat duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur gjuhen shqipe të folur në botë me varietetet e saj.

Duke folur për seminarin, Rugova u shpreh se ndikimi i seminarit shtrihet në tri fusha, ai kulturor, arsimor e studimor si dhe ai integrues.

“Ndikimi i parë ishte ky që e përmenda kulturor, seminari mundëson shkëmbime kulturore të tjera, mundëson përfaqësime kulturore të albanologjisë në botë dhe përkthime të veprave nga gjuha shqipe në gjuhe të ndryshme të botës. Ndikimi i dytë është arsimore e studimor, pjesa më e madhe e departamenteve të shqipes dhe ballkanistikës në botë drejtohen e udhëhiqen nga nxënës të dikurshëm të këtij seminari, veç kësaj seminari vit për vit është një vend ku ndërmerren nëpërmjet referimeve, kumtesave, shtrohen e diskutohen probleme të caktuara të albanistike duke e shtyrë gjithnjë më përpara këtë fushë. Ndikimi i tretë është ai integrues, krijimi i kontakteve me institucione e individë të interesuar për shkencën gjithandej botës, lidhja e bashkëpunimeve dhe raportet kontraktuale janë baza e ekzistencës së këtij institucioni”, deklaroi Rugova.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagaci, deklaroi se seminari me kalimin e viteve është rritur e zgjeruar duke u bërë një platformë e qëndrueshme për evidentimin dhe promovimin e vlerave tona gjuhësore, letrare e kulturore.

“Seminari ka një rendësi jetike për shkencat gjuhësore në tërësi e për shqipen tonë në veçanti. Gjatë punimeve të seminarit jepet hapësirë e merituar për kumtesa dhe diskutime të hapura rreth shqipes dhe problemeve që e shoqërojnë atë sot e mot. Besoj fuqishëm se kjo është mënyrë optimale për të ecur përpara drejt ruajtjes dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë. Impakti i seminarit bëhet edhe më i qartë kur shohim pjesëmarrësit dhe ligjëruesit që marrin pjesë nga viti në vit në këtë seminar duke u bashkuar të gjithë ata që kontribuojnë jo vetëm në trevat shqiptare por edhe ato të banuara me shqiptarë nga fushat e gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë, etnologjisë e të tjera por edhe akademikë e studiues nga vende të ndryshme të botës të cilët sjellin hulumtime dhe analiza me rendësi të veçantë duke e trajtuar edhe shqipen nga këndvështrimi i një personi, studiuesi e akademiku jo shqipfolës”, tha Nagavci.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, e vlerësoi seminarin si ngjarjen më të madhe shkencore, kulturore, arsimore e albanologjike.

“Ky seminar kësisoj konsiderohet një dritare e hapur e lidhjes së albanologjisë me botën e jashtme, është ura e krijimit të miqësive dhe e marrëdhënieve dhe marrëveshjeve të reja, është auditoriumi ku janë paraqitur shumë rezultate të rëndësishme shkencore dhe janë diskutuar e shqyrtuar e testuar tema të mëdha që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën dhe të kaluarën e saj monumentale dhe jam i bindur që duke gjetur inspirim në dedikim dhe praninë tuaj sot dhe të ardhmen e saj të ndritur edhe ky vit nuk bën përjashtim, për më tepër përmbajtja e programit të këtij viti është e një përmase të veçantë vëllimore si në cilësi ashtu edhe në sasi, shumë nga profesorët e akademikët e pranishëm këtu sot janë vet themelet e këtij institucioni ikonik”, u shpreh Qerimi.

Ndërsa, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, që iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe, foli për rëndësinë e ruajtjes së gjuhëve.

“Në një epokë të karakterizuar nga globalizmi dhe përparimet teknologjike rëndësia e ruajtjes së gjuhëve dhe nxitjes së shkëmbimit kulturor nuk ka qenë kurrë më kritike. Gjuha shqipe me origjinë të saj të lartë dhe veçoritë gjuhësore unike është një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së një populli. Megjithatë pikërisht kjo gjuhë po përballet me kërcënimet me zhdukje pasi forcat moderne dhe lidhjet globale po lënë në hije rëndësinë e saj. Ajo që rrezikojmë të humbasim nuk është thjesht një mjet komunikimi por një sferë e tërë letrare që kanë pasuruar kuptimin tonë kolektiv të përvojës njerëzore”, tha Abbott.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

/TV Malisheva

Share.