Dy ferma në komunën e Shtërpcës dyshohet se janë të prekura nga sëmundja e kafshëve e njohur si “gjuha e kaltër”.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Agjencisë e Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi.
Kjo sëmundje nuk mund të bartet tek njerëzit, ndërsa të kafshët e bartin mushkonjat dhe rriqrat, por megjithatë nuk duhet të konsumohet mishi i shtazëve të prekura nga kjo sëmundje.
Ajo shpërndahet tek kafshët, kështu që gjuha pas kafshimit të mushkonjave ose rriqrave i bëhet e kaltër, pas së cilës kafsha nuk mund të ushqehet dhe si pasojë e kësaj kafsha ngordh.
Kjo sëmundje është prezentë në Maqedoninë e Veriut dhe AVUK sot ka marrë masën e ndalesës të kafshëve në komunat e brezit kufitar me këtë shtet ku përfshihet Dragashi, Prizreni, Shtërpca, Kaçaniku, Hani i Elezit, Ferizaj dhe Vitia.
Thaçi: Kemi marrë menjëherë masat parandaluese
“Nga njoftimi zyrtar i dhënë nga Republika e Maqedonisë Veriore mbi prezencën e sëmundjes gjuha e kaltër, ne menjëherë kemi marr masat e ndalesës së kafshëve nga Maqedonia në Republikën e Kosovës, dhe kemi marrë lajmërimet nga veterinaret e terrenit se kemi raste të dyshimta në komunën e Shtërpcës dhe komunat që janë në brezin kufitar me Maqedoninë dhe në bazë të vlerësimeve AVUK nga sot mori masat e ndalesës të kafshëve në komunat e brezit kufitar me Republikën e Maqedonisë ku përfshihet Dragashi, Prizreni, Shtërpca, Kaçaniku, Hani i Elezit, Ferizaj dhe Vitia. […] Sëmundja është më shumë një sëmundje ekonomike e cila prek kryesisht delet, më pak dhitë dhe shumë më pak gjethet dhe kjo sëmundje nuk përhapet tek njeriu. Si përhapës të kësaj sëmundje janë insektet apo mushkonjat…. deri më tani kemi dy raste të raportuara nga ana e veterinerëve të kontraktuara nga AVUK dhe inspektorët janë në terren duke e monitoruar situatën”, deklaroi Thaçi.
Rastet e dyshuara me këtë sëmundje bën që AVUK të urdhërojë mbylljen e tregjeve të kafshëve, që edhe pse aktualisht janë të mbyllura me vendim qeveritar për shkak të pandemisë Covid-19, ato nuk do të mund të hapen pa kaluar edhe situata me sëmundjen “gjuha e kaltër”.
Gjithsesi, me një mjekim adekuat kafshët që kanë shenja të kësaj sëmundjeje mund të mjekohen dhe të shpëtojnë.
Edhe komunat tashmë obligohen që të caktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të cilët mund të ngordhin nga kjo sëmundje. Gjithashtu, autoritetet lokale duhet të dezinfektojnë fermat e prekura nga sëmundja “gjuha e kaltër”.
Thaçi: Me mjekim adekuat, kafshët mund të shpëtojnë
“Komunat janë të obliguara që të caktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të cilat mund të ngordhin nga kjo sëmundje po ashtu inspektorët në terren janë profesionistë të fushës dhe janë të obliguar të mjekojnë kafshët që kanë shenja klinike sepse me një mjekim adekuat kafshët mund të shpëtojnë dhe po ashtu ne nga ky moment i shpallim të mbyllura tregjet edhe pse edhe me vendim të qeverisë janë të mbyllura por për shkak të sëmundjes do qëndrojnë ta mbyllura derisa të kalojë kjo gjendje dhe po ashtu kërkohet që fermat e kësaj zonë të dezinfektohen”, tha ai./Tv Malisheva