Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka reaguar pas djegies së veturës së një pjesëtari të Policisë së Kosovës në veri, pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës, duke thënë se veprimi kriminal i falangave të Vuçiq nuk do të tolerohet.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot në Grabovc të Zveçanit.

“Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë tendencat e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në Kosovë po vazhdojnë.

“I bëjmë thirrje Vuçiq që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ky është rasti i dytë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri sulmohen pasi i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme për të regjistruar targat RKS dhe largimin e targave të lëshuara nga Serbia.

Ministri Sveçla ka thënë se të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës.

“Të gjitha institucionet janë të angazhuara në zbardhjen e këtyre rasteve. Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i falangave të Vuçiq nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike”, ka përfunduar Sveçla.

 

Share.