Në kohën kur në Ballkan po qëndrojnë emisarët e BE-s dhe SHBA-s, autoritetet serbe vazhdojnë me avazin e vjetër të kërcënimeve drejtuar Kosovës.
Në të vërtetë, sot afër kufirit me Kosovën, në një bazë ushtarake, është mbajtur një takim i ministrit të brendshëm serb Aleksandar Vulin dhe forcave ushtarake dhe policore serbe, ku ministri ka deklaruar se forcat serbe të sigurisë do të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
Ai tha se presin që KFOR-i përfundimisht ta kryejë detyrën dhe të marrë përgjegjësinë për situatën e sigurisë në vijën administrative. Sipas një komunikate të MPB-së, takimi ku morën pjesë Vulin dhe ministri i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq në kazermën e “Kryengritja e Toplicës” në Kurshumli u mbajt me urdhër të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Thuhet se Vulin shprehu shqetësimin për inkursionet e shpeshta të “grupeve të organizuara” që kalojnë vijën administrative dhe presin pyjet në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe shpesh hapin zjarr ndaj anëtarëve të sigurimit.
“Vetëm vitin e kaluar kemi pasur 56 inkursione të këtyre grupeve në Zonën e Sigurisë Tokësore, të cilat po grabisin në mënyrë të organizuar pronën e qytetarëve tanë. Hera e fundit ka qenë para disa ditësh, do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur njerëzit dhe pronën e tyre, sepse rendi dhe ligji janë në çdo pjesë të territorit tonë. Prona dhe siguria personale e çdo qytetari të vendit tonë respektohet dhe ruhet”, theksoi Vulin.
Ministri theksoi se KFOR-i është përgjegjës për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe në vijën administrative, në kompetencë të të cilit është sigurimi i saj dhe parandalimi i dyndjeve të këtyre prerësve të pyjeve.
“Pjesëtarët e MPB-së, të cilët janë në Zonën e Sigurisë Tokësore, si dhe pjesëtarët e Ushtrisë Serbe, janë të gatshëm të zbatojnë ligjin në territorin e tërë Serbisë dhe të mbrojnë popullin tonë, kudo që jetojnë”, theksoi Vulin.
Në takim, përveç ministrave Vulin dhe Stefanoviq, morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë Dragan Vasiljevic dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë dhe ushtrisë./TV Malisheva