Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i madh terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit. Nga sulmet me armë zjarri u vra polici Afrim Bunjaku, një tjetër polic u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Persona të armatosur rëndë të cilët kishin hyrë në territorin e Kosovës, u fshehën në Manastirin Banjskë dhe vazhduan sulmet me armë ndaj Policisë së Kosovës.

Policia kërkoi nga terroristët që të dorëzohen, por ata refuzuan të ndërmarrin një veprim të tillë, si rrjedhojë nga gjuajtjet me armë zjarri mbetën të vrarë tre terroristë dhe dy u arrestuan.

Ekspertët e sigurisë në Kosovë vlerësojnë se grupet terroriste kanë pasur një plan mirë të menduar dhe kanë ardhur në veri për të luftuar.

Drizan Shala, ekspert i sigurisë në Kosovë, në një deklaratë pohoi se Policia ka përfillur në përpikëri procedurat standarde.

“Situata e zhvilluar dje gjatë ditës nga strukturat e policisë dëshmoi që veprimet ishin të bazuar në normativen e aplikueshme në Kosovë, duke përfillur në përpikëri procedurat standarde operative me të cilat vepron mekanizmi i sigurisë në vend”.

“Por duhet edhe të analizohet tutje situata pas aksionit të dështuar nga formacionet ushtarake serbo/ruse në territorin e Kosovës se si ka ardhur deri të ky veprim i tyre, nga cilat rrugë dhe cili ishte synimi primar i këtij grupi. Por, kryesorja mbetet të kuptohet urdhërdhënësi a është Aleksandar Vuçiqi apo Vulini”, thotë ai.

Shala theksoi se pjesëtaret e Njësisë Speciale kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me objektin fetar.

“Veprimet treguan që pjesëtaret e Njësive Speciale ishin të kujdesshëm në lidhje me objektin, kultin fetar duke mos shkaktuar dëmtime të panevojshme në objekt apo personat që ishin fshehur aty gjatë kryerjes së operacionit special për të neutralizuar agresionin ushtarak të këtij formacioni”, thotë mes tjerash ai.

Eksperti i sigurisë thekson se siguria duhet të ngritet në gjendje gatishmërie.

“Siguria në veri por edhe në territorin e Kosovës duhej të ngritet në gjendje gatishmërie meqë është parandaluar një sulm terrorist me elemente dyshimit diversant nga shteti i Serbisë”, pohoi ai.

Shala mes tjerash tha se “institucionet e vendit, por edhe ato ndërkombëtare me theks të veçantë ndërkombëtare duhet të shkëmbejnë informacionet në kohe reale me institucionet e vendit dhe duhet të bashkëpunojnë më veprime takike operative që mund të kontribuojnë në parandalimin e akteve të tilla agresioni”.

Policia e Kosovës sekuestroi arsenal armësh, vetura, para, e dokumente të shumta të personave që ishin përfshirë në sulme.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar të martën pamje nga sulmi i terroristëve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Malishevës.

Në pamjet shihet edhe Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Dy ditë pas sulmeve terroriste, situata në veri raportohet të jetë e qetë, ndërkaq, Policia dhe KFOR vazhdojnë të bëjnë monitorimin e vendit.

/TV Malisheva

 

Share.