Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe akuzuan shërbimin sekret ushtarak rus (GRU) se fshihej pas sulmeve kibernetike të bëra ndaj Gjeorgjisë në vitin 2019.
“Fushata e rrezikshme dhe e paturpshme e sulmit kibernetik të GRU-së kundër Gjeorgjisë, një komb sovran dhe i pavarur, është plotësisht e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab në një deklaratë.
“Qeveria ruse ka një zgjedhje, ose të vazhdojë me këtë qëndrim agresiv ndaj vendeve të tjera ose të bëhet një partner i përgjegjshëm që respekton ligjin ndërkombëtar”, theksoi ai.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se “këto operacione synojnë të sjellin përçarje, të krijojnë pasiguri dhe të shkatërrojnë institucionet demokratike”.
Ai i bën thirrje Rusisë që “të ndalojë me këtë sjellje në Gjeorgji dhe kudo tjetër në botë”.
Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC), një organizatë britanike e sigurisë kibernetike, ka vlerësuar “me probabilitetin më të lartë” se “më 28 tetor 2019 GRU-ja ka kryer sulme kibernetike shkatërruese të përmasave të mëdha”.
Këto sulme kishin si synim faqet e internetit të qeverisë gjeorgjiane, gjykatat, organizatat joqeveritare, mediet dhe bizneset si dhe t’u krijonin probleme dy kanaleve televizive kryesore të vendit./TV Malisheva/