Shtetet e Bashkuara thanë se ekspertja e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, “u ka dhënë leje terroristëve” duke konstatuar se sulmi i Shteteve të Bashkuara, që ka vrarë gjeneralin iranian, Qasem Soleimani, dhe nëntë të tjerë në fillim të këtij viti në Irak, ka qenë “i paligjshëm”.
Callamard, raportuese e posaçme e Kombeve të Bashkuara për ekzekutime jashtëgjyqësore ose ekzekutime arbitrare, i paraqiti gjetjet e saj të enjten në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në Gjenevë.
Në një raport të lëshuar këtë javë, Callamard tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar prova specifike që tregojnë se Soleimani ka qenë duke planifikuar një sulm të menjëhershëm kundër interesave të SHBA-së, veçanërisht në Irak, për të cilin veprimi i menjëhershëm ka qenë i nevojshëm dhe do të justifikohej.
Andaj, sulmi me dron i SHBA-së, më 3 janar pranë aeroportit të Bagdadit, ku Soleimani është vrarë, përbën “vrasje arbitrare”, për të cilën Shtetet e Bashkuara janë përgjegjëse në bazë të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, shkroi Callamard në raport.
“Duhet një lloj i veçantë i pandershmërisë intelektuale për të nxjerrë një raport që i dënon Shtetet e Bashkuara për veprim në vetëmbrojtje, ndërsa shfajqëson të kaluarën famëkeqe të gjeneralit Soleimani, njërit nga terroristët më vdekjeprurës në botë”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus.
“Ky raport tendencioz dhe monoton i minon të drejtat e njeriut, duke u dhënë leje terroristëve, dhe dëshmon edhe një herë se pse Amerika ka pasur të drejtë që është larguar” nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, më 2018, tha Ortagus.Në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Soleimanit, i cili ka udhëhequr forcën Kuds të Gardës Revolucionare Islamike, Irani ka sulmuar bazat amerikane në Irak, duke lënë rreth 110 trupa amerikane me lëndime në tru.
Callamard tha se edhe sulmet e Iranit kanë qenë të paligjshme.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka justifikuar vrasjen e Soleimanit, duke thënë se ai ka qenë përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane për vite me radhë dhe se ka planifikuar sulme të tjera ndaj amerikanëve dhe aleatëve amerikanë në rajon./Tv Malisheva