Administrata e Biden njoftoi një paketë të re armësh prej 600 milionë dollarësh për të ndihmuar ushtrinë ukrainase në luftën kundër Rusisë, ndërsa ShBA-ja po ofron më shumë armë për të nxitur kundërsulmimin e Kievit në lindje të vendit, sipas gazetës së përditshme britanike, “The Guardian”.
Paketa do të përfshijë të njëjtat lloje municionesh dhe pajisjesh që kanë ndihmuar forcat ukrainase të mposhtin forcat ruse në lindje dhe jug të vendit. “Me guxim dhe vendosmëri, populli i Ukrainës po mbron atdheun e tij dhe po lufton për të ardhmen e tij”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.
“Pajisjet që ne po ofrojmë janë të kalibruara me kujdes për të bërë dallimin më të madh në fushën e betejës dhe për të forcuar Ukrainën në tryezën e negociatave kur të jetë koha e duhur”, shtoi ai.
Vendimi për të ofruar ndihmën e re, pas një ndihme prej gati 2.9 miliardë dollarësh dhe mbështetjeje financimi të shpallur javën e kaluar dhe mbi 3 miliardë dollarë të shpallur në fund të gushtit, tregon synimin e SHBA-së për të siguruar që Ukraina të mund të përballojë kundërsulmin e saj i nisur në fillim të këtij muaji. Në harkun kohor të pak ditëve, trupat ukrainase kanë rimarrë pothuajse të gjithë rajonin e Kharkivit.
Joe Biden autorizoi ndihmën e fundit duke përdorur Autoritetin e tij Presidencial të tërheqjes, i cili i lejon presidentit të autorizojë transferimin e armëve të tepërta nga stoqet amerikane. Shtëpia e Bardhë tha se ishte hera e 21-të që departamenti i mbrojtjes i ShBA-së tërheq armët dhe pajisjet e tjera nga raftet për t’i dorëzuar ato në Ukrainë.
Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka ofruar për qeverinë e Kievit një ndihmë prej rreth 15.1 miliardë dollar. Kjo përfshinte 2.2 miliardë dollarë financime afatgjatë ushtarak për Ukrainën dhe një paketë armësh prej 675 milionë dollarësh të shpallur nga sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin.
Paketa më e re e ndihmës pritet të financojë trajnimin ushtarak, si dhe municione, duke përfshirë më shumë municione të Sistemeve të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) për obusët.
/TV Malisheva