Numri i rasteve të koronavirusit në SHBA sot tejkaloi shifrën një milion e gjysmë, me një prirje rritjeje në shtetet jugore ndërsa numri i vdekjeve të lidhura me pandeminë arriti në 90.000.

Shumica e shteteve raportuan një ulje të numrit të infeksioneve të reja koronavirus në javën e kaluar, ndërsa vetëm 13 shtete raportuan një rritje.

Tenesi kishte rritjen më të madhe javore prej 33 për qind, numri i rasteve të reja të raportuara nga Luiziana ishte 25 për qind ndërsa Teksas raportoi një rritje prej 22 për qind në krahasim me javën e parë në maj.

Miçigan regjistroi një rritje prej 18 për qind pas pesë javësh në të cilën numri i të infektuarve ra dhe ky është një shtet që ka një numër relativisht të madh të vdekjeve – 4.800.

Sidoqoftë, në nivelin e SHBA-së, numri i rasteve të reja që lidhen me COVID-19 është më i ulët për 8 për qind në krahasim me javën e kaluar, për të cilën kontribuoi edhe fakti që Nju Jork dhe Nju Xhersi shënuan një ulje të numrit të infeksioneve të reja.

Pothuajse të gjitha shtetet e SHBA kanë lejuar fillimin e disa aktiviteteve ekonomike, si dhe liri më të madhe të lëvizjes për popullatën edhe pse kjo ka ngritur shqetësime në mesin e profesionistëve shëndetësorë për shpërthimin e mundshëm të një vale të dytë të epidemive.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë rekomanduar që shtetet federale të presin me lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve derisa të binden se numri i personave të infektuar me koronavirus po bie vazhdimisht gjatë një periudhe dy javore

Share.