Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për tre muaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Populli ukrainas, me ndihmën tonë të sigurisë, kanë mbrojtur atdheun e tyre përballë pushtimit të pajustifikuar të Rusisë dhe, si rezultat, Yjet dhe Shiritat po valëviten përsëri mbi ambasadë”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken.

“Ne qëndrojmë me krenari përkrah, dhe vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë atdheun e tyre nga lufta dhe agresioni brutal i Kremlinit”.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbylli ambasadën në Kiev më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës dhe për të instaluar një tjetër në përputhje me politikën e Moskës.

Diplomatët amerikanë vazhduan të ofronin shërbime nga qyteti perëndimor i Lvivit, ndonjëherë duke qëndruar gjatë natës në Poloninë fqinje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Kthimi në Kiev erdhi disa javë pasi forcat ukrainase mposhtën përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e Ukrainës veriore dhe kryeqytetit, ndërsa lufta u përqendrua në lindje dhe jug të vendit.

“Teksa ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, ne kemi paraqitur masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve tanë që po kthehen në Kiev dhe kemi përmirësuar masat dhe protokollet tona të sigurisë”, tha Blinken./REL/

Share.