Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milionë dollarë amerikanë në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 vjetëve të kaluara.

Në një komunikatë për media thuhet se muajin e kaluar, pajisjet laboratorike për të mbështetur testimin diagnostik për SARS-CoV-2 të dhuruara nga Agjencia e SHBA, në emër të popullit amerikan, u vunë në funksion.

Testimi është komponent kyç për të parandaluar transmetimin e mëtejmë në zonat e prekura ose të rrezikuara si dhe për të zbutur ndikimin e një shpërthimi të mundshëm.

Donacioni i USAID-it, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë kanë ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të Spitalit të Graçanicës në Llapnasellë, ashtu që testimet PCR të kryhen me besueshmëri, saktësi dhe shpejtësi.

Kjo përkrahje e ndihmon Llapnasellën dhe komunitetet në rrethinë që të kenë qasje të barabartë në shërbime cilësore dhe të ofruara në kohë të duhur si dhe për të fuqizuar individët që të mbrojnë veten dhe njëri tjetrin.

Përmes kontributeve përfshirë investimet në rinovimin e hapësirës së laboratorit dhe vendosjes së pajisjeve, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë kanë krijuar një laborator mikrobiologjik për spitalin e Graçanicës dhe kanë operacionalizuar Procedurat Standarde të Veprimit në shëndetin publik. Po ashtu përmes kësaj iniciative USAID-OBSh stafi i spitalit ka ngritur kapacitetet teknike ndërsa laboratori ka siguruar të gjitha materialet e nevojshme shpenzuese për të zhvilluar testime PCR në përputhje me udhëzimet e OBSH-së.

USAID-i në partneritet me Qeverinë e Kosovës, UNICEF-in, OBSH-në dhe akterët tjerë kyç ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.

Këtu përfshihet mbështetjen e vazhdueshme të përpjekjeve në komunikim dhe informim të publikut në Kosovë me qëllim të inkurajimit të parandalimit të COVID-19 dhe vaksinimit kundër tij.

Krahas kësaj, mbështetja e USAID-it ka përfshirë edhe shpërndarjen e 249 pakove higjienike në qendrat shëndetësore; shpërndarjen e 7.750 kompleteve higjienike për familjet; dhe 2.400 pakove higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës; po ashtu janë shpërndarë edhe pajisje higjienike në 660 shkolla fillore dhe të mesme.

Përveç kësaj, SHBA ka dërguar pajisje për testim laboratorik dhe skanerë termikë për t’u vendosur në pikat hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.

/TV Malisheva

Share.