Kryediplomati grek, Nikos Dendias, sot ka qëndruar në Beograd për vizitë zyrtare ku është pritur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili tha se më të ka folur edhe për “temat e nxehta gjeopolitike” bashkëpunimin rajonal, integrimin europian, krizën aktuale energjetike, si dhe luftën në Ukrainë.

Vuçiq u kujdes që edhe në këtë takim ta falënderojë shtetin e BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Vuçiq falënderoi Greqinë për qëndrimin e saj të qëndrueshëm ndaj respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, si dhe për përpjekjet e saj gjatë presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, duke shtuar se Serbia vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin evropian të Serbisë dhe angazhimin e saj aktiv”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga presidenca serbe.

 

Vuçiq gjithashtu i tha kryediplomatit grek se Serbia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Greqinë, të cilat bazohen në miqësinë e fortë, afërsinë e konfirmuar historikisht dhe solidaritetin e dy popujve.

Kur u fol për bashkëpunimin rajonal, Vuçiq e prezantoi Serbinë si vend që dëshiron “të ruajë stabilitetin dhe orientimin e të gjitha vendeve të rajonit drejt bashkëpunimit më intensiv në të gjitha fushat, sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë”

/TV Malisheva

Share.