Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka deklaruar se numri i civilëve të vrarë në Rripin e Gazës tregon se diçka është “qartësisht e gabuar” me operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit në territor.

Ai ka thënë se 92 punonjës të OKB-së janë vrarë gjithashtu në konfliktin Izrael-Hamas.

“Ka shkelje nga Hamasi kur ata kanë mburoja njerëzore” i ka thënë Guterres agjencisë së lajmeve Reuters.

“Por kur shikohet numri i civilëve që u vranë gjatë operacioneve ushtarake, ka diçka që është qartësisht e gabuar”, ka deklaruar tutje ai.

Ndryshe, Guterres thënë se OKB-ja është e përfshirë në bisedimet që synojnë të sigurojnë lirimin e më shumë se 200 pengjeve të marra kur Hamasi nisi sulmin e tij ndaj Izraelit nga Rripi i Gazës muajin e kaluar.

“Ne kemi detyrimin të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar lirimin e pengjeve”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Ne nuk kemi asnjë ndikim mbi Hamasin për këtë, por ka disa vende që kanë kapacitet të ndikimit” ka deklaruar ai, duke shtuar se Katari ka qenë “jashtëzakonisht pozitiv” dhe OKB-ja ka qenë në kontakt të ngushtë me të.

“Është absolutisht thelbësore që të gjithë pengjet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Guterres ka thënë se “nuk e ndihmon Izraelin në raport me opinionin publik global” për të parë “imazhin e tmerrshëm të përditshëm të nevojave dramatike humanitare të popullit palestinez”.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se 630 kamionë ndihma kanë kaluar në Gaza gjatë 18 ditëve të fundit – krahasuar me 500 në ditë para luftës – dhe “negociatat intensive” janë duke vazhduar për të siguruar dërgesa efektive të ndihmës, por deri më tani ndihma ka qenë “shumë pak, shumë vonë”.

/TV Malisheva

Share.