Kosova i bashkëngjitet trendit botëror për teknologjinë më të avancuar për mbrojtjen e ambientit nëpërmjet furnizimit me energji të veturave elektrike.
Kompania ‘Shell Global’ sot në Prizren prezantoi pikën e parë të mbushjes elektrike ‘Shell Recharge’, në të cilën do të kenë mundësi të karikohen veturat elektrike.
Drejtori i ‘Shell’ Global’, Martin Lustenberg, tha se pika e mbushjes për vetura elektrike nga kompania ‘Shell’ po hapet për herë të parë në Kosovë. Ai u shpreh falënderues ndaj kompanisë ‘Shell Kosova” për bashkëpunimin e treguar në këtë drejtim.
Lustenburg: Po hapim pikën e parë për mbushjen e veturave elektrike në Kosovë
“Është një nder i madh që të jem këtu sot me të gjithë kolegët e mi, jemi një ekip i cili jemi shumë ndërkombëtar jemi pothuajse 20 kombe të ndryshme që përfaqësojmë ose 50 vende që kemi zgjedhur të vijmë në takimin tonë në Kosovë dhe me të vërtetë jemi të habitur me mikpritjen …Është nder që të jem këtu që të hapim pikën e veturave elektrike për herë të parë në Kosovë dhe është vendi i parë jo vetëm në Kosovë por anekënd botës si stacioni i parë për karikim të elektrikes. Këtë po e fillojmë në ‘Shell’ pra, por gjithashtu edhe një moment të falënderojmë Al Petrolin që po e kryejnë një punë të jashtëzakonshme me brendet e Shellit me produktet dhe vajrat më cilësore”, tha Lustenberg.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se Kosova si vend në qendër të Ballkanit ka mundësi të mëdha për zhvillim ekonomik. Ai shprehu falënderim për investitorët e huaj për bashkëpunimin e treguar me shtetin e Kosovës.
Haskuka: Shpresoj të kemi shumë vetura elektrike që ta shfrytëzojnë këtë pikë
“Kosova është vend i ri me popullatë të re të edukuar. Kosova është në qendër të Ballkanit me lidhje të mira me të gjitha vendet, një vend i cili ka një perspektivë të madhe për zhvillim ekonomik… Çdo investim në Kosovë është investim i mirë, i uroj investitorët e huaj, të cilit bashkëpunojnë me Kosovën e sidomos më vjen mirë që kemi prezent tani mbushësin për vetura elektrike, besoj që është e ardhmja në aspektin e mbrojtjes së ambientit dhe zhvillimit të gjelbër. Shpresoj që do të kemi shumë vetura elektrike që do ta shfrytëzojnë këtë pikë”, u shpreh Haskuka.
Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë Berat Rukiqi, tha se Kosova është një vend i vogël, por me mundësi të mëdha për zhvillimin ekonomik. Ai tha se gjithashtu se prania e teknologjisë së gjelbër në Kosovë është falë kompanisë ‘Shell’.
Rukiqi: Ndryshimet nisin me kompaninë Al Petrol me licencën e “Shell”
“Është krenari si përfaqësues i kompanive të Kosovës të jem pjesë e një ngjarje që shënon dy momente të veçanta. Momenti i parë që shënon një delegacion, nuk besoj që ka qenë ndonjë delegacion më i rëndësishëm ekonomik në vendin tonë në dekadën e fundit, një moment që ndihmon t’i promovojmë vlerat tona dhe të nxisim investime të reja, e të hapim vende pune gjë që kemi shumë nevoja. E dyta, është kjo që po ndodh shumë shpejt një shenjë e transformimit ekonomik të vendit, të kalojmë nga tradicionalja nga ajo që realisht është në përfundim të ciklit jetësor, në një cikël inovativ që mundëson në teknologji të gjelbra dhe besoj që duke qenë pika parë këtu është edhe një mesazh ku një vend i vogël me potenciale të mëdha dhe me potencial për ndryshim dhe ky ndryshim fillon me kompaninë Al Petrol me licencën e Shell”, tha Rukiq.
Ndryshe, ‘Shell’ është një nga shoqëritë më të mëdha në botë të energjisë, e cila ka punësuar mesatarisht 94.000 persona dhe ushtron veprimtarinë e saj në më shumë se 70 shtete.