Sekretari i përgjithshëm i Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, se nuk po tregohet i sinqertë ndaj popullit, duke premtuar rishikim të marrëveshjeve me Serbinë, ndërsa presidentit të Francës i premton zbatimin e tyre.
Ai i ka përkujtuar Kurtit zotimin e tij për rishikim të marrëveshjeve sapo të vijë në pushtet, ndërkohë që tash shprehet për zbatimin e tyre.
“Siç informon Zyra e kryeministrit në detyrë, gjatë një bisede telefonike që ka pasur me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, “Albin Kurti, premtoi se Evropa nuk do të ketë kurrë surpriza, ngaqë qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit”, shkruan Sherifi në Facebook.
“Reagimin tim po e ilustroj me atë çka thoshte Albin Kurti para se të hipte në pushtet. Si duket, edhe këtë premtim elektoral, njëlloj sikurse premtimet e tjera, Albin Kurti i ka shtruar në “Tavolinë Suedeze”: merr atë që i pëlqen dhe lë mbi tavolinë atë që nuk mund ta kapërdijë”, përfundon reagimi./ Tv Malisheva