Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman ka akuzuar sot presidentin rus Vladimir Putin se me pushtimin e Ukrainës po krijon një krizë globale ushqimore në botë.

Në një takim të Kombeve të Bashkuara mbi ndikimin e luftës së Rusisë në sigurinë globale të ushqimit, Sherman tha se Rusia ka bombarduar të paktën tri anije civile që transportonin mallra nga Deti i Zi.

Ajo tha se marina ruse po bllokon hyrjen në portet ukrainase, duke ndërprerë eksportin e grurit dhe duke parandaluar rreth 94 anije me ushqim që të arrijnë në Detin Mesdhe.

Sherman argumentoi se pretendimet e Rusisë se sanksionet nga SHBA dhe aleatët e saj po rrisin kostot e ushqimit në mbarë globin, injorojnë faktin se Rusia ka penguar eksportet e drithit të Ukrainës të arrijnë në pjesën tjetër të botës.

“Për sa kohë që Putin vazhdon luftën e tij, për sa kohë që forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet ukrainase dhe bllokojnë autokolonat e ndihmave, për sa kohë që civilët e rrethuar nuk janë në gjendje të arrijnë në siguri, kjo krizë humanitare vetëm do të përkeqësohet”, tha Sherman.

“Vladimir Putin filloi këtë luftë. Ai krijoi këtë krizë globale ushqimore dhe është ai që mund ta ndalojë atë,” shtoi ajo.

Deklarimet e zyrtares së lartë të Departamentit të Shtetit vijnë pasi SHBA-ja ka akuzuar zyrtarisht forcat ruse për krime lufte në Ukrainë, duke përfshirë shënjestrimin e civilëve.

Sherman tha se Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë vlerësoi se deri në 13 milionë njerëz në botë mund të shtyhen në pasiguri ushqimore si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.

Duke vënë në dukje se Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit kryesorë bujqësorë, Sherman tha se rreth 30% e grurit në botë, 20% e misrit dhe 75% e eksporteve të vajit të lulediellit vijnë nga rajoni i Detit të Zi.

“Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se 45% e njerëzve në Ukrainë janë të shqetësuar për ushqim të mjaftueshëm”, tha Sherman.

Ajo vuri në dukje në mënyrë specifike sulmet në qytetin port të Mariupolit në jug të Ukrainës, duke thënë se popullsia atje ka mbetur pa ushqim, ujë, ngrohje dhe energji elektrike dhe njerëzit “i janë drejtuar shkrirjes së borës për ujë të pijshëm”.

“Një nënë u tha gazetarëve se mund t’i ushqente tri vajzat e saj vetëm një lugë mjaltë në ditë pasi ato fshiheshin nga bombat ruse. Tani, zyrtarët e qytetit thonë se njerëzit kanë filluar të vdesin nga uria. Pesë javë më parë, Mariupol ishte në paqe, një eksportues drithi që ndihmoi të ushqehej bota. Sot, banorët e tij po vdesin për shkak të luftës së zgjedhur nga Putin,” tha ajo, transmeton CNN.

 

Share.