Për shkak të krizës së madhe ekonomike të shkaktuar nga Covid-19, tregu evropian i veturave do të tkurret me 25 për qind në vitin 2020, deklaroi Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA).

Shitjet e veturave në bllokun prej 27 anëtarësh pritet të bien me 3 milionë njësi, nga 12.8 milionë në 2019 në 9.6 milion në vitin 2020.

Më herët Shoqata deklaroi “se pas goditjes së valëve të virusit në periudhën midis marsit dhe majit, tregu i BE-së është tkurrur me 41.5 për qind deri më tani këtë vit”, transmeton Monitor.

“Kjo situatë pritet të lehtësohet në një farë mase në muajt e ardhshëm pasi masat kufizuese janë hequr në të gjithë rajonin”.

Pritshmëria e vitit 2020 paraqet shifrat më të ulëta të shitjeve të makinave që nga viti 2013.

Industria e automjeteve punëson rreth 13.8 milionë evropianë, direkt dhe indirekt, duke përbërë kështu 6.1 për qind të të gjitha vendeve të punës në union.

Masat për të parandaluar përhapjen e virusit, të tilla si mbyllja dhe kufizimet kufitare, ndikuan thellësisht në aktivitetet ekonomike, veçanërisht në BE dhe Shtetet e Bashkuara./ Tv Malisheva

Share.