Më shumë se 120 milionë punonjësve, në 12 ekonomitë më të mëdha në botë, mund t’ju duhet të rikualifikohen në tri vitet e ardhshme, për shkak të përfshirjes së teknologjive të reja si Inteligjenca Artificiale dhe automatizimi inteligjent.

Ky është përfundimi i studimit të kryer nga Institute for Business Value i IBM, i cili intervistoi 5.670 drejtues në 48 vende.

Kërkimi “The enterprise guide to closing the skills gap”, nënvizon mungesën e talenteve, për shkak të disa faktorëve, si zhvillimet e vazhdueshme dhe të shpejta teknologjie dhe inovacioni i modeleve operative. Megjithatë, edhe pse drejtuesit janë të vetëdijshëm për këtë kërcënim, pjesa më e madhe e kompanive nuk e ka trajtuar në mënyrën e duhur këtë problem.

Studimi i IBM shkruan se vetëm 41% e CEO-ve të kompanive thonë se zotërojnë burime, aftësi dhe numrin e mjaftueshëm të personave për të zbatuar strategjitë e biznesit, të nevojshme për të menaxhuar me sukses kompanitë.

Rekrutimi dhe trajnimi nuk janë më përgjigjet e vetme të problemit. Madje, duhet të marrim parasysh që koha e nevojshme për të mbushur boshllëkun e aftësive nëpërmjet trajnimeve tradicionale është rritur më shumë se dhjetë herë në katër vitet e fundit, nga 3 në 36 ditë.

Aftësi të tërthorta vs. Aftësi teknologjike

Drejtuesit e dinë se progresi në automatizimin inteligjent do të sjellë avantazhe të shumta. Në të njëjtën kohë e kuptojnë se miliona punonjës mund të kenë nevojë për rikualifikim. Në këtë kontekst, ndërkohë që kompetencat dixhitale mbeten jetësore, drejtuesit e pranojnë që aftësitë e tërthorta, ndryshe të quajtura ato të sjelljes, do të marrin më tepër rëndësi.

Nëse në vitin 2016, drejtuesit i kishin klasifikuar aftësitë teknike të rëndësishme për STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics – Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) dhe aftësitë bazë në kompjuter dhe software / aplikacione ndër dy kompetencat më të rëndësishme për punonjësit, në vitin 2018, dy aftësitë më të kërkuara lidhen me sjelljen:
gatishmëria për të qenë fleksibël, i shkathët, për t’ju përshtatur ndryshimit, menaxhimi i kohës dhe përcaktimi i përparësive. Ndër të tjera, për të ruajtur leadershipin në treg, aftësitë e tërthorta të nevojshme sot janë: aftësia për të punuar në grup, për zgjidhjen e problemeve, aftësia për të sjellë risi, kreativiteti, etika dhe integriteti.

Me përfshirjen e teknologjive të reja, nevoja për një përtëritje të vazhdueshme të forcës së punës do të jetë e rëndësishme për të mbetur konkurrues. Për këtë arsye, në raport, IBM jep disa këshilla për të ndihmuar kompanitë të plotësojnë boshllëqet në lidhje me aftësitë.

Personalizimi – Personalizimi është pjesë e jetës së përditshme në botën e konsumatorëve. Si në rastin kur kërkojnë një restorant apo një produkt të ri, konsumatorët presin rezultate kërkimi të menjëhershme dhe të personalizuara. Ata presin, ndër të tjera, që faqet e tyre të preferuara të ofrojnë në mënyrë ë vazhdueshme sugjerime që u përshtaten pëlqimeve të tyre. Punonjësit presin të njëjtën përvojë të personalizuar në botën e punës. Punonjësit dëshirojnë të përparojnë në karrierën e tyre, aftësi dhe trajnime që u përshtaten përvojave, objektivave dhe interesave të tyre. Edhe kompanitë e duan personalizimin. Kjo nënkupton të kuptuarit e kompetencave aktuale të secilit punonjës, të dish se ku kompania dhe individi duan ose kanë nevojë të përparojnë. Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në mundësimin e këtij niveli të personalizimit dhe t’i japë jetë një përvoje domethënëse për punonjësit.

2. Rritja e transparencës – Kompanitë lider po raportojnë në mënyrë transparente te punonjësit rolet dhe aftësitë që po rriten në kërkesën e tregut, duke u ofruar punonjësve mënyra angazhuese dhe kuptimplotë për të rritur kompetencat e tyre në fushat që janë më shumë rëndësi. Ky nivel transparence u jep punonjësve informacione për të vetëmenaxhuar zgjedhjet në të mësuar dhe në karrierë, informacione që janë të nevojshme për të qenë në një hap me kohën dhe kërkesat e tregut të punës.

3. Shihni brenda dhe jashtë – Ditët kur një shoqëri kishte të gjitha përgjigjet kanë mbaruar. Po ashtu, edhe aftësia për t’u bërë ballë sfidave pa bashkëpunimin e ekosistemeve më të gjerë, të brendshme dhe të jashtme. Për të qenë konkurrues, kompanitë duhet të përshtasin një arkitekturë teknologjike të hapur dhe një tërësi partnerësh, të cilët të përfitojnë nga përparimet e fundit.

Brenda çdo kompanie duhet të krijohet një ekip të shkathët, me aftësi heterogjene për të lejuar inovacionin eksperimental, krijimin e një kulture ku të mësuarit të bëhet viral dhe mundësive për shkëmbimin e punës dhe lëvizjen brenda për brenda punonjësve, me qëllim zhvillimin e aftësive.

/TV Malisheva

Share.