Rezoluta për Policinë e Kosovës e propozuar nga PDK-ja nuk ka arritur të hidhet në votim gjatë seancës së sotme të Kuvendit. Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, kjo rezolutë, është tendencë e një pjese të partive politike për ta njollosur PK-në.

Teksa vlerëson se kërkesat për sigurim shëndetësor dhe shtesat për rrezikshmëri për policët janë të drejta, dhe si të tilla duhet të dëgjohen nga institucionet e vendit.

“Sa i përket pikës sot të rendit të ditës që ka qenë kjo rezolutë, unë mendoj që është një tendencë e një pjese të partive politike për të njollosur institucionin më kredibil, më vital në vend, siç është Policia e Kosovës. Zërat se Policia e Kosovës, njësia FIT, nuk do të jetë në një të ardhshme të afërt në detyrë, janë zëra ogurzezë për Kosovën. Nuk mendoj se na duhet kaq shumë pesimizëm…shtesat për rrezikshmërinë e Policisë janë kërkesa të drejta, si dhe kërkesa për sigurimin shëndetësor është një kërkesë e drejtë, dhe mendoj që duhet të ulen të gjithë akterët që të gjejë një zgjidhje optimale, me qëllim që Policia e vendit të ketë kushte më të mira për funksionimin dhe operimin e saj”, deklaroi ai.

Sipas tij, tendencat për ta politizuar një institucion siç është Policia e Kosovës, “nuk i shërbejnë vendit”.

Gjatë seancës së sotme në Kuvend, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se Njësia FIT e Policisë së Kosovës është duke shqyrtuar largimin nga ky institucion, për shkak të pakënaqësive. Rreth kësaj çështjeje kanë raportuar edhe disa media.

Në rezolutën e prezantuar për Policinë nga PDK-ja, përfshihet buxhetimi shtesë për pension të parakohshëm, shtesat e rrezikshmërisë dhe sigurimi shëndetësor.

Kjo rezolutë është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët po abstenojnë të marrin pjesë në votim.

/TV Malisheva

Share.