Në mbështetje të Komunës së Lipjanit, shkolla “Vëllezërit Frashëri”, në këtë komunë, duke shënuar njëkohësisht edhe ditën e shkollës, ka organizuar panairin e Gjuhës, Artit, Shkencës dhe Teknologjisë, P-GJASHT.
Panairi pati karakter edukativ, socializues, rekreativ dhe garues, ku pjesëmarrës ishin nxënës nga të gjitha shkollat e komunës.
Diamant Bytyqi, nënkryetar i komunës, tha se është viti i dytë që panairi mbështetet nga komuna, pasi që, sipas tij, rezultatet dhe puna e nxënësve kanë reflektuar me suksese të jashtëzakonshëm.
Ai tha se mbështetja nuk do të mungojë as në vitet e ardhëshme, me qëllimin që kjo ngjarje të bëhet sa më madhështore.
“Më vjen mirë që pikërisht në ditën e shkollës keni zgjedhur që ta mbani edhe panairin, që është një panair që e identifikon edhe shkollën Vëllezërit Frashëri. Duke e ditur faktin që vëllezërit Frashëri ishin ata rilindas që kultivuan dhe mbrojtën letërsinë dhe gjuhën shqipe. Kjo shkollë është me nxënësit më të mirë, jo vetëm në komunën tonë, por edhe më gjerë. Prej këtij panairi do të përfitojnë edhe shkollat e tjera. Është viti i dytë tashmë radhazi që komuna e Lipjanit e mbështet këtë panair, duke e ditë faktin që rezultatet e këtij panairo dhe puna e nxënësve ka reflektuar me sukses të jashtëzakonshëm, kemi vendosur që ta mbështesim këtë panair dhe vitet e ardhshme ta bëjmë këtë panair sa më madhështor”, tha ai.
Drejtori i shkollës “Vëllezërit Frashëri”, Jakup Bahtiri, falënderoi komunën e Lipjanit për përkrahjen që është duke i ofruar shkollës të cilën ai e udhëheqë. Ai tha se kjo shkollë cilësohet si ndër shkollat më të mira.
“Kjo është një ndër shkollat më të mëdha të komunës së Lipjanit. Kjo shkollë cilësohet edhe për nga vlera edhe cilësia në arsim duke qenë konkurrente përmes mësimdhënësve dhe nxënësve. Shkolla jonë ka 2608 nxënës. Organizimi i këtij panair nuk do të mund të behej pa përkrahjen e nivelit komunal, andaj publikisht e falënderoj nivelin komunal për përkrahjen që po na japin për realizmin e këtij panairi. Por jo vetëm këtë, por të gjitha projekte që ka pasur shkolla që është përfaqësuar edhe në Tiranë, Amerikë edhe Afrikën e Jugut”, tha ai.
Lorena Kosumi dhe Olta Veseli, nxënëse në klasën e gjashtë në këtë shkollë, treguan për punimin që kanë bërë për këtë ngjarje e që lidhet me matematikën, sipas tyre përmes këtij punimi kanë dashur që të përçojnë mesazhin se sa e rëndësishme është matematike ne jetë dhe sa vlen ajo për zgjidhjen e problemeve të përditshme.
E nxënësit Edon Magashi dhe Besmir Marevci, nxënës të klasës së tetë të kësaj shkolle, të cilët punimin e tyre ja kushtuan lëndës së kimisë, kanë paraqitur një eksperiment nga kimia ku tema kryesore fokusohet tek reaksionet e kthyeshme. Ata në këtë rast e kanë bërë reaksionin e kthyeshëm të gurkalit.
Ata po ashtu thanë për EO se organizimet e tilla kanë rëndësi shumë të mëdha për nxënësit pasi që i shkëmbejnë përvojat me nxënësit e tjerë.
Organizatorët e Panairit P-GJASHT kanë për synim që ky panair të bëhet tradicional dhe të jetë shembull i mirë që mund të ndjeket nga shkollat e Kosovës.
/TV Malisheva