Shkumbin Gashi nga sot nuk është më nënkryetar i Komunës së Pejës. Ai ka dorëzuar dorëheqjen tek kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Dorëheqja ka ardhur për shkak se Gashi, do të marrë funksionin e Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, pozicion të cilin nuk kishte arritur ta fitonte drejtpërdrejt në zgjedhjet e 6 tetorit. Gashi ka qenë në mesin e pesëshes në pritje nga LDK, për tu bërë deputet dhe këtë e ka arritur pas marrjes së pozitave qeveritare nga deputetët e LDK-së, ku janë liruar vendet për kandidatët në pritje.
Postin e nënkryetarit të Komunës së Pejës, Gashi e mbajti që nga mandati i parë i Gazmend Muhaxherit në krye të komunës së Pejës.
Lajmin për dorëheqjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, në faqen zyrtare në Facebook, me çrast e ka falënderuar Gashin për punën dhe kontributin e tij.
Postimi i plotë:
“Sot prita në takim Nënkryetarin e deritanishëm të Komunës së Pejës, z. Shkumbin Gashi, i cili e dorëzoi dorëheqjen nga kjo pozitë për të vazhduar si deputet i zgjedhur në Parlamentin e Republikës së Kosovës. E faleminderova për bashkëpunimin, duke i uruar suksese në pozitën e re!”-ka shkruar Muhaxheri.
Pirtet të shihet se kush do të marë pozitën e Shkumbin Gashit në komunën e Pejës. Emërimi është ekskluzivitet i kryetarit të Komunës, përderisa ‘RADIO 1’ merr vesh se konkurrenca për këtë post është e madhe dhe tejet e ngushtë.