Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë sot (e shtunë) diskutimin për dokumentin e njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
Shërbimet e Kuvendit kanë bërë të ditur se për të shtunën kanë mbetur edhe tre deputetë me fjalimet e paralajmëruara, ndërsa më pas pritet edhe votimi për miratimin e propozimit të Francës.
Kuvendi maqedonas ka nisur debatin të enjten, por për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim, seanca ka vazhduar deri në orët e vona të së premtes, ndërsa do të vijojë edhe të shtunën, në ditën e tretë të diskutimeve.
Gjatë ditës së premte, deputetët e VMRO DPMNE-së përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Ata u akuzuan nga deputetët e LSDM-së, se përveç kaosit, nuk ofrojnë asgjë tjetër për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ju doni të kemi shtet të robëruar, ju nuk ofroni asgjë përveç bllokimit dhe kaosit në shtet. Qytetarët që ndodhen jashtë Kuvendi, jo ata rreth jush, por të tjerët, presin zhvillim, mirëqenie ekonomike, integrim të vendit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve të zhvilluara. Të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet ranë në ujë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e tha qartë dhe me zë të lartë se gjuha maqedonase është gjuha jonë, e pastër dhe e mbrojtur…Ne jemi maqedonas dhe si të tillë do të mbetemi dhe do të hyjmë në BE”, deklaroi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska-Vançeva.
Propozimi parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.
Propozimi i Francës, prej shtatë pikash, kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.
Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese.
Pavle Trajanov, deputet i Lidhjes Demokratike që është pjesë e pushtetit, e mbështet propozimin, por kërkon që të miratohen edhe një konkluzion që të ketë vetëm një konferencë me BE-në.
“Unë jam për një konferencë ndërqeveritare, me të cilën do të fillojnë negociatat me BE-në dhe pastaj do të hapen kapitujt. Pra, hapja e kapitujve nuk duhet të kushtëzohet me ndryshimet kushtetuese”, tha Trajanov i cili në disa raste ishte kërcënuar me largim nga Qeveria nëse pranohet propozimi francez.
Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase. Sofja pretendon se gjuha maqedonase deri para vitit 1945 ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.
Por, deputetët e VMRO DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.
“Historia po përsëritet. Ky pushtet nga shekulli XXI po na kthen në shekullin e XIX. Kjo qeveri hap çështje të identitetit kombëtar që ishin mbyllur shumë vite më parë. Po hap kutinë e Pandorës duke ngritur shpirtrat nga e kaluara, po nxisin përçarje mes njerëzve. Që nga viti 2017 kur erdhën në pushtet nga ju pamë vetëm rrënim të identitetit maqedonas, shitje të interesave kombëtare”, deklaroi deputetje e VMRO DPMNE-së, Zhaklina Peshevska.
Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.
Deputetët në fund të debatit duhet të miratojnë një konkluzion prej pesë pikash që është hartuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet që kryesisht ka të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Debati u përcol me protesta jashtë ndërtesës së Kuvendit, por për dallim nga ditët e kaluara, numri i protestuesve ishte shumë herë më i vogël.
Disa dhjetëra persona nga nisma “Ultimatum, jo-faleminderit” kanë protestuar me pankarta dhe brohoritje duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e miratojnë propozimin francez.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për ndalimin e 11 personave të përfshirë në incidente. Ata dyshohen se kanë gjuajtur forcat e rendit me sende të forca dhe për përgatitje të akteve tjera të dhunës.
Edhe të premten, forcat speciale të policisë janë kujdesur duke siguruar institucionet, si nga toka, ashtu edhe nga ajri. /REL/
/TV Malisheva