Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal tha sot se vendi duhet të përgatitet për sulme të reja ruse në infrastrukturën energjetike, sepse, siç tha ai, Moska dëshiron që ukrainasit t’i kalojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në errësirë.

Ai i bëri komentet pas një sërë sulmesh me raketa ruse dhe dron që zyrtarët ukrainas thonë se kanë lënë furnizimin me energji elektrike në rajonin e Kievit në mënyrë kritike të ulët, me më pak se gjysmën e nevojave të kryeqytetit për energji elektrike.

“Terroristët rusë do të bëjnë gjithçka për të lënë ukrainasit pa energji elektrike për Vitin e Ri. Është e rëndësishme për ta që Krishtlindjet dhe Viti i Ri të kalojnë në errësirë në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatitemi për sulme të reja”, tha Shmyhal në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri i Ukrainës tha se po funksionojnë tetë njësi bërthamore dhe 10 termocentrale, por se deficiti energjetik është “i rëndësishëm”, dhe se riparimet po vazhdojnë, por se situata është ende e vështirë.

Ai deklaroi se Qeveria planifikon të trefishojë numrin e të ashtuquajturave “pika të pathyeshmërisë”, pra dhoma ku banorët mund të kenë qasje në ujë, rrymë dhe shërbime interneti. Aktualisht ka 5.000 pika të tilla.

Më herët sot, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se rreth 80 për qind e rajonit të Kievit është pa energji elektrike dhe vuri në dukje se situata me furnizimin me energji elektrike në atë rajon ukrainas është kritike dhe se rindërtimi i infrastruktura vazhdon pas sulmeve të fundit raketore ruse.

 

Share.