Prokurorja në Mal të Zi, Andrijana Nastiq, ka deklaruar se në mesin e të vrarëve në tragjedinë e sotme në Cetinë janë edhe dy fëmijë dhe se, sipas dyshimeve fillestare, sulmuesi është vrarë nga një bashkëqytetar. Ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq ka bërë të ditur se do të shpallin tri ditë zije si shenjë solidarizimi me familjarët e 11 viktimave që humbën jetën dhe gjashtë të plagosurve nga sulmi me armë.

Mediat malazeze kanë raportuar se tragjedisë i ka paraprirë një konflikt familjar, pas të cilit sulmuesi 34-vjeçar, i quajtur Vuk Borilloviq, ka qëlluar kalimtarët në rrugë.

Bëhet e ditur se dy të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinës, ndërsa katër të tjërë janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

Nga dëshmitarët okularë në vendngjarje mësohet se sulmuesi ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar rastësisht në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.

/TV Malisheva

Share.