Këshilli i Prokurorial i Kosovës e ka miratuar hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi në KPK është marrë të premten pasi një ditë më herët ishte vendosur si pikë e rendit të ditës hapja e konkursit për dy pozitat më të larta në Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Në Panelin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK-së, KPK ka caktuar anëtarët: Jetish Maloku, Ardian Hajdaraj, Besim Kelmendi, Arian Gashi dhe Agron Beka. Ndërsa, në Komisionin për Rishqyrtim janë caktuar anëtarët: Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci dhe Armend Zenelaj.

Kurse, në Komisionin Vlerësues për Zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, KPK ka zgjedhur këta anëtarë: Jetish Maloku, Ariana Shajkovci, Merita Bina-Rugova, Jehona Grantolli dhe Ardian Hajdaraj.

Ndërsa, në Komisionin për Rishqyrtim janë caktuar anëtarët: Agron Beka, Arian Gashi dhe Besim Kelmendi.

Në krye të PSRK-së, aktualisht qëndron kryeprokurori Blerim Isufaj, ndërsa në atë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kryeprokurori Kujtim Munishi.

Blerim Isufaj ishte zgjedhur në krye të PSRK-së me 23 dhjetor 2019. Ai në këtë pozitë ishte zgjedhur me votat e 10 anëtarëve të KPK-së.

Po ashtu, edhe kryeprokurori i tanishëm Kujtim Munishi, ishte zgjedhur në krye të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me 23 dhjetor 2019.

Munishi, që paraprakisht kishte qenë si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte zgjedhur në këtë post me 10 vota, si kandidat i vetëm.

Sipas Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, KPK shpall konkurs për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive të tjera së paku 60 ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurorëve aktual.

Në rend dite për sot KPK ka planifikuar edhe Themelimi i Panelit Vlerësues dhe Komisionit për Rishqyrtim për emërimin e kryeprokurorëve si dhe njoftimin për pensionim të prokurorëve gjatë muajit nëntor 2023.

/TV Malisheva

Share.