Rusia goditi kryeqytetin ukrainas të Kievit menjëherë pas një takimi midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres të enjten në mbrëmje.
Të paktën një person u vra dhe disa u plagosën, duke përfshirë disa të cilët u bllokuan nën rrënoja, sipas zyrtarëve të shpëtimit.
Kryebashkiaku, Vitali Klitschko tha se distrikti në pjesën veriperëndimore të qytetit u godit dy herë, duke shkaktuar zjarre në të paktën dy ndërtesa të larta.
Shpërthimet, të cilat dërguan shtëllunga tymi të zi në ajër, erdhën menjëherë pasi të dy udhëheqësit mbajtën një konferencë shtypi në të cilën Guterres dënoi mizoritë e kryera në qytete si Buça, ku u gjetën prova të vrasjeve masive të civilëve pasi Rusia u tërhoq.
Autoritetet thanë se shefi i OKB-së dhe ekipi i tij ishin të sigurtë.
Kjo u pa si një nga sulmet më të guximshme në Kiev që kur forcat ruse u tërhoqën nga kryeqyteti javë më parë.
Shpërthimet erdhën ndërsa banorët po kthehen gjithnjë e më shumë në qytet.
Kafenetë dhe bizneset e tjera janë rihapur dhe një numër në rritje njerëzish kanë dalë jashtë dhe kanë shijuar motin pranveror./REL/