Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv.
Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se “në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive”.
“Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës”, theksoi Cami.
Sipas saj, ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.
Në Shqipëri aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake./ Tv Malisheva