Në pritje të mbërritjes së avionit të parë me afganë në Shqipëri, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, inspektoi çadrat që janë vendosur në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas.

Më pas, Xhaçka u zhvendos në godinat e Qytetit Studenti, ku refugjatët do të strehohen përkohësisht. Ata do të qëndrojnë aty deri në nisjen e sezonit të ri universitar, ndërsa më pas do të zhvendosen drejt Lezhës, në një kamp të posaçëm që do të ngrihet atje.

Shqipëria pranoi të strehojë përkohësisht shtetas afganë që po largohen nga vendi i tyre nga frika e hakmarrjes së talibanëve, të cilët kanë marrë kontrollin e shtetit atje. Deri tani nuk duhet sa është numri i personave që do të strehohen në Shqipëri, por është thënë nga autoritetet shqiptare dhe amerikane se bëhet fjalë për persona që kanë bashkëpunuar me SHBA dhe vendet e NATO-s përgjatë viteve të fundit.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur zërave kritikë për strehimin e afganëve në vendin tonë. Në një postim në Twitter shefi i qeverisë thotë se është shqetësuese të lexosh që Shqipëria po i strehon ata se ua kërkoi SHBA.

“Është kaq shqetësuese të lexosh se Shqipëria po i strehon afganët vetëm sepse na kërkoi SHBA, pasi është qesharake t’u kthesh kurrizin atyre dhe të fajësosh vetëm SHBA. Ne të gjithë ishim atje si NATO dhe këta njerëz ishin atje për ne, që besonin në idealet mbi të cilat qëndrojnë SHBA dhe BE”.

Rama thekson se Shqipëria po e bën këtë jashtë përgjegjësisë së saj si një vend i NATO-s, por si një borxh dhe detyrim ndaj traditës sonë.

“Shqipëria po e bën atë jashtë përgjegjësisë së saj si një vend i NATO-s dhe për shkak të asaj që jemi. Ne mund të mos jemi të pasur, por ua kemi borxh miqve tanë afganë në nevojë, dhe i detyrohemi traditës sonë, të kaluarës sonë të afërt si refugjatë, dhe gjithashtu për kujtesën që fëmijët tanë do të trashëgojnë. Largimi nga këto vlera themelore më të mira tona, të historisë sonë dhe i idealeve që bota demokratike supozohet të promovojë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, është turp”./TV Malisheva

Share.