Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë e Shqipërisë Evis Kushi, ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci, nënshkruan sot marrëveshjen e re të mirëkuptimit mbi programin “Iliria”, transmeton TV Malisheva.
Marrëveshja ka për qëllim nxitjen e mëtejshme të mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin arsimor shqiptar. Sipas kësaj marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin parauniversitar.
Italia ndërkaq do të vijojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të mësimdhënies së gjuhës italiane përmes lëvrimit të kontributeve në dobi të mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe furnizimit me materiale didaktike të bibliotekave dhe laboratorëve të shkollave “Iliria”.
Italia do të vijojë gjithashtu të japë ndihmesën e saj në formimin e mësuesve shqiptarë të italishtes përmes Zyrës së Shkollave të Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke vënë theksin kështu në angazhimin e vazhdueshëm italian në integrimin nëpërmjet projekteve inovative dhe nismave kulturore të kurrikulave tradicionale të mësimdhënies.
Marrëveshja parashikon edhe përfshirjen e shkollave teknike profesionale vendase me module në gjuhën italiane të lëndëve jo gjuhësore, duke pasur parasysh praninë e gjerë të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri, si dhe nevojën për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në vend./Atsh