Dekretimi nga presidenti Ilir Meta pa asnjë hezitim i 16 ministrave të propozuar nga Edi Rama i hapi rrugën votë-besimit në Parlamentin e Shqipërisë.

Ora 10:00 e të enjtes do ta gjejë parlamentin në seancë plenare nga ku kryeministri shqiptar do të shpalosë programin politik të qeverisjes për katër vjetët e ardhshëm.

Më pas kryeministri do t’i përgjigjet pyetjeve të deputetëve nga ku do të shihet edhe performanca e grupit të parlamentar të PD. Deri në orën 16:00 seanca do të vijojë me debate për atë çfarë do të paraqesë Edi Rama dhe ministrat e propozuar.

Pritet me interes për t’u parë numri votave që do të marrë votëbesimi qeverisës i ri dhe nëse do të ketë përsëri rrjedhje vote nga opozita. Nuk përjashtohet mundësia që menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, Edi Rama t’i prijë ministrave për etapën finale qeveri-formuese atë të betimit në presidencë.

Qeveria Rama 3 dominohet nga ministret femra plot 12, disa prej të cilave për herë të parë do të mbajnë portofole ministrore.

Prurjet e reja që sjell Edi Rama në skuadrën e tij qeverisëse janë Delina Ibrahimaj në krye të Financave shqiptare, Frida Krifca si ministre e Bujqësisë, Edona Bilalin ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Bora Muzhaqi ministre Shteti për Rininë dhe Fëmijët.

Pjesë e qeverisë së re do të jenë 9 ministra që kanë shërbyer edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës të socialistëve./Tch/TV Malisheva

Share.