Në fund të këtij viti pritet të mbahet Kongresi i parë kombëtar i autoriteteve lokale, që si temë të parë pritet ta ketë diskutimin që fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë e Shqipëri të nis me 15 shtator.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, pas takimit që ka pasur me kryetarët e bashkive të Shqipërisë.
Tahiri tha se ky takim i tij me kryetarët e bashkive të Shqipërisë është bërë për të nisur jetësimin e Kongresit të parë kombëtar të autoriteteve lokale, që tha se në fund të këtij viti do të mbahet në Shqipëri.
Ai tregoi se një nga temat e agjendës do të jetë rreth fillimit të vitit të ri shkollor, që tha se ka kërkesë që ai të nis me 15 shtator në të dy shtetet shqiptare.
Tahiri: U zotova që këtë Kongres do ta ndërtojmë mbi bazën e diskutimit të sinqertë
“U zotova që në emër të Qeverisë këtë Kongres kombëtar të parë të autoriteteve lokale do ta ndërtojmë mbi bazën e diskutimit të sinqertë dhe vendimeve që duhet t’i marrim e që janë në funksion të së mirës së qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Një temë e agjendës që u caktua sot e që do ta diskutojmë me grupet punuese edhe me ministrin e Punëve të Brendshme dhe zëvendësministren që është përgjegjëse për këtë temë në Qeverinë e Shqipërisë është fillimi i vitit të ri shkollor, ka një kërkesë që viti i ri shkollor të nis me 15 shtator. Pra, një temë e agjendës do të jetë pse duhet të jetë kjo, shpresoj të marrim një vendim në Kongres dhe pastaj të jetë obligues për të dy qeveritë. Nuk është pak të thuhet se ne jemi një më të vërtetë, nganjëherë kemi ndasi për shkak të politikave administrative dhe politikave që jo domosdoshmërisht janë në funksion tonin dhe jo domosdoshmërisht janë në dijeni, këto duhet t’i përmirësojmë, këto duhet t’i shtyjmë përpara se nuk ka komunikim dhe koordinim dhe bashkëjetesë politike pa pasur bashkëjetesë ekonomike fer për të dy shtetet”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Vlorës, Dritan Leli, u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të Shqipërisë që të vizitojnë Kosovën, sipas tij e vetmja mënyrë për të ndihmuar të dy shtetet njëri-tjetrin për rimëkëmbje ekonomike.
Leli: Të qëndrojmë së bashku dhe të rimëkëmbim ekonomitë tona
“Duke filluar nga dje jo vetëm do të pushojmë shqip, por do të ecim në shtigjet e Dardanisë për të filluar turizmin e vjeshtës dhe të dimrit, ku thirrja ime, thirrja e gjithë kryetarëve të bashkive (shqiptare), thirrje e ministrit Klosi është që të gjithë shqiptarët të vizitojnë anën këndej të bjeshkëve, ashtu siç shqiptarët e kësaj ane të bjeshkëve vizituan bregun e detit në sezonin turistik të verës së 2020. Sepse ne kemi shumë në dorë që të punojmë së bashku, të qëndrojmë së bashku dhe të rimëkëmbim ekonomitë tona ashtu siç vëllezërit do të ndihmonin njëri tjetrin në kohë të vështira”, tha ai.
Ai ka falënderuar të gjithë shqiptarët e Kosovës që kanë zgjedhur Shqipërinë për t’i kaluar pushimet verore.