Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi sot se “duke qenë thellësisht të bindur se arsyetimi dhe lavdërimi i krimeve të luftës është pengesë për shpirtin e pajtimit që duhet të mbizotërojë në rajon, ne kemi urdhëruar Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi që të bojkotojë ceremoninë solemne të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi për Peter Handken”.

“Çdo shpërblim i personaliteteve që kanë mohuar gjenocidin edhe nëpërmjet veprave të tyre letrare, vetëm forcon prirjet për t’iu shmangur përgjegjësive historike dhe relativizuar peshën e rëndë të krimeve të luftës, pastrimit etnik dhe gjenocidit”, – u shpreh ministri Cakaj.

Ndaj, shton ai, Shqipëria do të bojkotojë ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi.

Përkushtimi ynë, vijon Cakaj, do të vazhdojë për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në vlerat e patjetërsueshme të së vërtetës dhe në përputhje me kërkesat më të larta të drejtësisë.

Share.