Përfaqësuesit e Shqipërisë në Këshillin e Evropës i kanë dorëzuar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës një dokument non-paper për Kosovën në formën e një dokumenti zyrtar.
Në dokumentin, i cili iu dorëzua misioneve të përhershme tre ditë më parë, thuhet se aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës tashmë është mbështetur nga një numër i konsiderueshëm anëtarësh.
“Republika e Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë se aplikacioni i saj për anëtarësim tashmë është mbështetur nga një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të KE-së. Bisedimet e fundit me anëtarët e Asamblesë Parlamentare (PACE) gjithashtu kanë treguar mbështetje të fortë për një anëtarësim të tillë”, thuhet në dokument, ku përkujtohet se Kosovën e njohin 74 për qind të vendeve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, shkruan Kosovo Online.
U theksua se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk do të ndikojë në vendimet e shteteve që nuk e njohin Kosovën.
“Qëndrimi juridik i Këshillit të Evropës asnjëherë nuk ka qenë që një shtet që nuk ka qenë ende anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk mund të bëhet anëtar i kësaj organizate. Ndryshe, anëtarësimi i vlefshëm i Federatës Zvicerane, e cila u pranua në Këshillin e Evropa në vitin 1963 dhe jo anëtare e OKB-së, nuk do të ishte e mundur deri në vitin 2002”, thuhet në non-paper, të cilin Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, nepërmjet Shqipërisë, ua ka përcjellë përfaqësuesve të shumicës së misioneve të përhershme të shteteve anëtare.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja në mënyrë që të gjejë normalizim të qëndrueshëm dhe njohje reciproke me Republikën e Serbisë. Është në interesin kombëtar, por edhe në interesin e Evropës, që të jetë shembull i zgjidhjes së suksesshme të konfliktit pas gjenocidit, në një mënyrë vërtet të qytetëruar evropiane”, theksohet në këtë dokument.
Në dokument thuhet gjithashtu se situata në Evropë dhe qëndrimi i Këshillit të Evropës ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shkak të konfliktit në Ukrainë, Rusia u tërhoq nga Këshilli i Evropës dhe u vendosën sanksione, të cilave iu bashkua edhe Kosova.
Në këtë mënyrë, Kosova u rreshtua në anën e Evropës në këtë moment vendimtar të historisë.
Mendimi i Këshillit të Evropës nga viti 2008 është shkruar para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila që atëherë është pranuar në institucionet e Këshillit të Evropës si Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias).
Në dokument u theksua se shumë anëtarë të Këshillit të Evropës kanë shprehur publikisht dhe përbrenda qartë dëshirën dhe mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Dokumenti i referohet edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga viti 2010, e cila konkludoi “se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit apo kornizën kushtetuese”.
Në dokument theksohet se Kosova i plotëson të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndërsa shtohet se është i vetmi vend demokratik në Evropë që ende nuk është anëtar i kësaj organizate ndërkombëtare.
“Siç parashikohet në dispozitat dhe politikat e Këshillit të Evropës, pakicat dhe grupet dhe qytetarët potencialisht të cenueshëm ose të diskriminuar do të përfitojnë më shumë nga një mbrojtje e tillë e fuqishme institucionale,” thuhet në dokumentin non-paper.