Pandemia e gripit spanjoll e vitit 1918, njihet si një nga pandemitë më vdekjeprurëse në histori. Numri i viktimave llogaritet nga 20-50 milionë persona. Kjo pandemi preku edhe Shqipërinë.
Gjatë pandemisë, katundaritë apo bashkitë e Shqipërisë, kanë bërë përpjekje – përmes shpërndarjes së afisheve informuese – për t’iu shmangur infektimit nga virusi vdekjeprurës. Në Arkivin e Shtetit gjenden disa dokumente të Bashkisë së Elbasanit, që tregojnë masat që janë marrë në të periudhe: Informimi për masat parandaluese, ndalimi i grumbullimeve publike, mbyllja e kafeneve, vendosja e shtetrrethimit, ndalimi i lëvizjeve nga njëri qytet në tjetrin apo lëvizja me leje të posaçme…
Një prej dokumenteve interesante është një kërkesë që pronarët e kafeneve në Elbasan, të cilët kërkojnë që të lejohet që të hapin lokalet e tyre që ishin mbyllur me urdhër, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë. Kërkesa mban datën 25 dhjetor 1918 dhe është përpiluar në zyrën avokatore “A. Sinan & Floqi” në Elbasan. Kjo kërkesë mban nënshkrimin e pesë pronarëve të kafeneve të cilët i kërkojnë nënkryetarit të Katundarisë që të mos ndiqen ‘standarde të dyfishta’ në hapjen e kafeneve.
“Me urdhën të Katundarisë, kafehanat t’ona nga puna e smundjes qi kishte ranë në qytet ishin mbyllë për 10 ditë. Po prej ditës qi u dha urdhni e deri sot kanë kaluar 12 e ma tepër ditë”, shkruhet në letër.
Më tej evidentohet se disa kafene janë hapur me urdhra të veçantë dhe se e njëjta gjë duhej të bëhej edhe për ta.
“Kanë mbetë vetëm kafehanat t’ona pa u çel edhe këjo në dam t’onin, të cilët sikurse e dini me këto kafehana po përmbjamë shtëpijat t’ona. Prandaj nga shkaku i pushimit të sëmundjes edhe pas urdhnit të dhanun qi disa kafehana të çilen, ju lutem fort të jepni urdhën qi edhe kafehanat t’ona të çilen e të punojnë si ma përpara”, mbyllet letra.
Pandemia e Gripit Spanjoll përfundon në prillin e vitit 1920. /TV Malisheva