Ekipi kombëtar i vajzave të Shqipërisë, drejtuar nga Vioresin Sinani, i ka filluar sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kuadër të Grupit E kualifikues për Kampionatin Evropian 2021.

Vashat kuqezi fillimisht do ta presin më 4 tetor, në orën 18:00, Portugalisë në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa katër ditë më vonë do ta vizitojë Finlandën, për ndeshjen që gjithashtu nis në orën 18:00, raporton Gazeta Express.

Skuadra është grumbulluar në qytetin e Elbasanit, ku do t’i kryejë seancat stërvitore para ndeshjes me Portugalinë, që është edhe ndeshja e dytë për këto eliminatore të Grupit E, ku Shqipëria është në një grup me Skocinë, Portugalinë, Finlandën dhe Qipron.

Në urdhrat e trajnerit Sinani janë 18 lojtare. Boshti skuadrës përbëhet nga lojtare që luajnë me Vllazninë, Tiranën dhe Feronikelin, ndërkohë që një pjesë tjetër e grupit përbëhet nga vajza që luajnë në skuadra jashtë Shqipërisë, siç janë Rrahmani, Hila, Morina, Krasniqi, Begolli, Maksuti, Velaj e Bejleri.

Pas ndeshjesh me luzitanet, skuadra do të stërvitet në Elbasan deri më datë 6 Tetor, dhe në 7 Tetor në mëngjes do të udhëtojnë drejt Vasas në Finlandën ku më datë 8 Tetor do të luajnë ndeshjen e tretë eliminatore.

Share.