Shqipëria do të ketë zyrtarisht ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës. Ky vendim ishte paralajmëruar më herët nga Ministria e Jashtme, ndërsa sot Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Shpenzimet e ambasadës shqiptare në Kiev do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2023. Shqipëria kishte në Kiev vetëm një mision të posaçëm, që tashmë është mbyllur me vendim qeverie duke futur në fuqi ngritjen e ambasadës së parë shqiptare në Ukrainë.
Më herët ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se hapja e ambasadës shqiptare në Kiev do të bëhej në kuadër të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria është rreshtuar në mbështetjen e Ukrainës.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020. Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.
Dy vendimet e qeverisë
HAPJEN E MISIONIT DIPLOMATIK TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E UKRAINËS, KIEV
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Hapjen e Misionit Diplomatik “Ambasadë” të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Për hapjen e këtij misioni diplomatik, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023.
Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
MBYLLJEN E MISIONIT TË POSAÇËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KIEV, UKRAINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Mbylljen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë.
Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.