Shqipëria sot përjeton një moment historik në politikën e saj të jashtme. Tirana mirëpret sot për herë të parë në rajon Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit.

Kryeqyteti shqiptar do të bëjë bashkë sot, të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Në agjendën e punimeve të publikuar nga Kryeministria pritet që liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së, të fokusohen në dy tema kryesore: 1) Integrimi i rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE, dhe 2)mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.

Më tej pritet dhe nënshkrimi i marrëveshjes rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.

Në fund, të gjithë të pranishmit do të marrin pjesë në dy evenimente: përurimi i Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe në mbrëmje, do të marrin pjesë tek ceremonia e inaugurimit të Piramidës.

Agjenda e plotë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë:

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.

Në orën 11:30 fjala hapëse.

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Evropës në Tiranë.

/TV Malisheva

Share.