Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), përmes një komunikate për media ka njoftuar se Kosova në dy muajt e fundit është përballur me emergjencë të rëndë shëndetësore si rezultat i rritjes së lartë të numrit të personave të infektuar me virusin SARS Cov-2, që kanë kërkuar kujdes spitalor, përfshirë kërkesat e shtuara për oksigjen mjekësor.
Duke pasur parasysh situatën ky bord ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë situatë duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale mobilizimin e të gjitha kapaciteteve të operatorëve të licencuar për furnizim me oksigjen mjekësor dhe të gjitha kapaciteteve teknike dhe humane në Republikën e Kosovës për të përballuar situatën e rënduar.
“Në këtë drejtim, Bordi Drejtues siguron të gjitha palët se SHSKUK ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që vetëm oksigjeni i licencuar mjekësor, sipas Autorizim Marketingut, të lëshuar nga Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), është në përdorim për pacientët”, siguron SHSKUK-ja./TV Malisheva