Ministria e Shëndetësisë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e infeksioneve të ndryshme, bazuar në raportin e IKSHPK, kërkon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.
Sipas MSh-së bazuar në raportin e ShSKUK-së, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje.
“Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj ministrie, shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale.
Ndërsa, siç njofton MSh-ja rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar po ashtu edhe për simptomat e meningjitit.
Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.
Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.
Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.
Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.
Meningjiti trajtohet vetëm në spital.
/TV Malisheva